Foto: Adelina Ahmeti/ KALLXO.com
Pjesëtarë të FSK-së monitorojnë dhe ruajnë pendën e Liqenit të Livoçit në Gjilan
Pjesëtarë të FSK-së po monitorojnë dhe ruajnë pendën e Liqenit të Livoçit në Gjilan.
KALLXO.com ka siguruar pamje në të cilat shihen pjesëtarë të FSK-së afër pendës dhe në rrugën magjistrale, afër zonës së Liqenit.
Së paku dy automjete ushtarake të FSK-së janë në dy pika përreth liqenit.
Pamjet mund t’i shihni KËTU.
Në këtë zonë pjesëtarët e FSK-së janë parë edhe në orët e mbrëmjes të datës 30.11.2024.
Angazhimi i FSK-së në ruajtjen e infrastrukturës vitale vjen pas sulmit terrorist të kryer më 29.11.2024 kundër kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në zonën e Zubin Potokut.
Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.
Lidhur me rastin e shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit janë arrestuar 8 të dyshuar.
Njëri prej tyre, Dragisha Viqentijeviq, ka dalë sot, më 01.12.2024, para Gjykatës së Prishtinës, e cila ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.