Pjesët e okupuara të Ukrainës po mbajnë referendum për bashkim me Rusinë

Banorët e katër zonave të Ukrainës të kontrolluara nga forcat pro-ruse kanë filluar të votojnë në referendumet për bashkimin me Rusinë, sondazhe të dënuara gjerësisht nga perëndimi si të paligjshme dhe pararendëse të aneksimit të paligjshëm.

Votimi në provincat Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia, që përfaqësojnë rreth 15% të territorit ukrainas, filloi të premten në mëngjes, sipas agjencisë ruse të lajmeve Tass, dhe do të zgjasë deri të martën.

Udhëheqësit e instaluar nga Rusia i njoftuan planet për votat të martën, një sfidë për perëndimin që mund ta përshkallëzojë luftën edhe më tej. Rezultatet shihen si një përfundim i paramenduar në favor të aneksimit dhe Ukraina dhe aleatët e saj tashmë e kanë bërë të qartë se nuk do t’i njohin rezultatet.

Njëkohësisht, edhe NATO i ka dënuar planet për të mbajtur “referendume” për bashkim me Federatën Ruse në rajonet e pushtuara nga Rusia në Ukrainë, duke i përshkruar ato si “përpjekje flagrante të Moskës për pushtim territorial”. “Referendumet e rreme” në rajonet e Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson nuk kanë legjitimitet, tha aleanca.

Volodymyr Zelenskiy u ka bërë thirrje rusëve që t’i rezistojnë mobilizimit të pjesshëm ushtarak të shpallur nga Vladimir Putin, i cili ka shkaktuar protesta dhe një eksod të ri jashtë Rusisë. Presidenti ukrainas tha në fjalimin e tij të përditshëm të enjten se “55,000 ushtarë rusë kanë vdekur në këto gjashtë muaj lufte… Dëshironi më shumë? Jo? Andaj protestoni, luftoni, ikni ose dorëzojuni” ushtrisë ukrainase.

Mijëra burrave në të gjithë Rusinë u janë dorëzuar draft dokumentet pas shpalljes së mobilizimit. Midis atyre që u thirrën që nga njoftimi i Putinit të mërkurën ishin rusë të arrestuar ndërkohë që po protestonin kundër mobilizimit, deklaron grupi i pavarur i monitorimit të protestës OVD-Info.

Trafiku në pikat kufitare ruse me Finlandën dhe Gjeorgjinë u rrit pasi njoftimi ipër mobilizim ushtarak shkaktoi frikën se burrat në moshë luftarake do të thirreshin në vijat e frontit në Ukrainë. Çmimet për fluturimet me një drejtim nga Moska në vendet më të afërta të huaja u rritën me mbi 5,000 dollarë , me shumicën e biletave ajrore të shitura për ditët në vijim. 

Në përgjigje, kryeministrja e Finlandës tha se qeveria e saj po shqyrton mënyra për ta reduktuar ndjeshëm turizmin rus dhe tranzitin përmes Finlandës. “Vullneti i qeverisë është shumë i qartë dhe ne besojmë se turizmi rus [në Finlandë] duhet të ndalet, si dhe tranziti përmes Finlandës,” u tha gazetarëve Sanna Marin.

Kremlini i ka hedhur poshtë raportet për një eksod të burrave rusë në moshë luftarake si “të ekzagjeruara”. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjithashtu refuzoi t’i mohonte raportet e mediave ruse se disa protestuesve që janë shprehur kundër mobilizimit e të cilët janë arrestuar të mërkurën mbrëma u ishin dhënë draft-dokumentet, duke thënë se një gjë e tillë nuk është në kundërshtim me ligjin.

Putini po u jep direktiva gjeneralëve në terren, raportoi CNN. Urdhrat e drejtpërdrejta nga presidenti rus për gjeneralët “lënë të kuptohet për strukturën jofunksionale të komandës” që i ka prekur forcat ruse në fushëbetejë, sipas dy burimeve të njohura me inteligjencën amerikane dhe perëndimore që janë deklaruar për CNN.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, dëshiron që sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë të hiqen deri në fund të vitit, tha një gazetë e përditshme pro-qeveritare. Orban, aleat i Putinit, është kritikuar shpesh kundër sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë.

Shumë prej ukrainasve të shkëmbyer në shkëmbimin më të madh të të burgosurve me Rusinë që nga fillimi i pushtimit tregojnë shenja të torturës së dhunshme, tha të enjten kreu i inteligjencës ushtarake të Ukrainës. Të mërkurën, Ukraina njoftoi shkëmbimin e një numri rekord prej 215 ushtarësh të burgosur me Rusinë, duke përfshirë luftëtarët që e udhëhoqën mbrojtjen e fabrikës së çelikut Azovstal të Mariupolit, e cila u bë një ikonë e rezistencës ukrainase.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë, James Cleverly, tha se nuk ishte i befasuar me faktin që ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, u ka braktisur takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak se, sipas tij, Lavrov nuk dëshiron ta dëgjojë dënimin kolektiv të këtij këshilli.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, e ka qortuar ashpër Rusinë për kërcënimet bërthamore “krejtësisht të papranueshme”. Duke folur në fillim të takimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, një ditë pasi Putin ngriti bastet në pushtimin e tij në Ukrainë, Guterres tha se planet e Moskës për të aneksuar pjesë të Ukrainës janë një “shkelje e kartës së OKB-së dhe e ligjit ndërkombëtar”.

Dmitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit, i ka mohuar gjithashtu raportet se një klauzolë e pazbuluar në dekretin e mobilizimit të Putinit parashikon që një milion rezervistë të regjistroheshin për të luftuar në Ukrainë. “Kjo është një gënjeshtër,” tha Peskov në përgjigje të një raporti të Novaya Gazeta./The Guardian