Pista e Aeroportit “Adem Jashari”, do të rritet nga 2,500 në 3,050 metra

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu bashkë me përfaqësues të KFOR-it dhe LIMAK kanë dhënë detaje për projektin për zgjerim të pistës së aeroportit “Adem Jashari” dhe normalizimin e hapësirës së ultë ajrore.

Aliu ka thënë se ky projekt e bënë aeroportin konkurrues në rajon.

Sipas tij, pista do zgjatet nga 2,500 metra në 3,050 metra.

“Sot do flasim për projektin për zgjatjen e pistës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe për normalizimin e hapësirës ajrore. Është projekt i veçantë, sepse këtë aeroport e bënë konkurrues në rajon. Me finalizimin e projektit do bëhet zgjatja e pistës nga 2 mijë e 500 metra në 3 mijë e 50 metra dhe do kemi furnizim me pajisje për ngritje e shërbimeve teknike”, ka thënë Aliu.

Sipas tij, me realizimin e projektit, sistemi i aterrimit do avancohet nga kategoria 2 në kategorinë 3B.

Ministri potencoi se pajisjet që do instalohen, kanë të bëjnë me navigimin, aterrimin dhe kushtet atmosferike.

“Pajisjet që do funksionalizohen me këtë projekt, të cilat kanë të bëjnë me navigimin e meteorologjinë do të luajnë rol të rëndësishëm për aterrim në kushte të vështira atmosferike dhe më këtë rast të anulohet shkaktari kryesor i anulimit të fluturimeve. Sipas IHMK, mjegullat janë prezente 30-40 ditë brenda sezonës së dimrit”, shtoi Aliu.

Kurse me procesin e normalizimit të hapësirës ajrore do ketë hapje të rrugëve të reja me shtete fqinje.

“Që nga përfundimi i luftës, fluturimet civile që hyjnë e dalin në Kosovë, bëhen përmes korridorit ajror nga Maqedonia e Veriut, p.sh një aeroplan që vjen nga Viena në Prishtinë, duhet të bëjë një rrugë 250 kilometra apo 20 minuta më gjatë, sepse duhet të fluturojë mbi Mal të Zi, Shqipëri dhe në Maqedoni të Veriut për të hyrë në Kosovë”, shtoi ministri Aliu.