'Pishtarët' i shkruajnë ambasadorëve lidhur me informacionet për kontratë të fshehtë me KelKos

Organizata për mbrojtjen e ambientit ‘Pishtarët’ i është drejtuar me një thirrje urgjente ambasadorëve të shteteve të QUINT-it, ambasadorit të Austrisë, përfaqësueses Speciale e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosove, Nataliya Apostolva, dhe Raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Von Cramon.

Letra ka të bëjë me pretendimet se javën e kaluar kanë marrë vesh brenda Divizionit të Ujërave se kanë filluar një proces të fshehtë dhe pa pjesëmarrje publike, të lidhin marrëveshje me kompaninë Austriake, Kelkos Energji që në emër të Kosovës të lëshojnë leje ujore për hidrocentralin Lumbardhin II, në Lumbardh të Deçanit.

Kjo organizatë ka kërkuar nga liderët e Kosovës që të mirën masat e duhura ne kapacitetet e tyre në mbrojtjet te ligjit dhe banoreve te Deçanit. Ndërsa për përfaqësuesit e Austrisë, shteteve të QUINT-it  dhe BE-së përgjegjësia për veprimet e Kelkosit “si kompani e huaj bie gjithashtu edhe mbi ju sepse ata po veprojnë kundër ligjit pa u ndëshkuar sepse pas tyre qëndron emri “austriak, evropian, investitor i huaj”.

“..në emër të banorëve të Deçanit të prekur nga ky ekocid, ne shprehim zhgënjim që këta zyrtarë dhe Kelkosi kanë marrë guximin të punojnë pas shpinës së publikut, por ne duam të jemi të qartë se çdo marrëveshje ose leje që nënshkruhet në errësirë, pa zërin tonë dhe pa përmbushur detyrimet ligjore që ishin në vend, është në kundërshtim me kornizën ligjore kosovare dhe evropiane që udhëheq investimet e huaja dhe mbrojtjen e mjedisit. Si i tillë, ky është një kërcënim për sundimin e ligjit në Kosovë, jetesën tonë që varet nga këto resurse dhe do të ketë pasoja të rënda për institucionet publike, tashmë gati të deshtuara. Fatkeqësisht, ndikimi i këtij vendimi është kaq i madh, në shumë nivele sa që mund të jetë veprimi që shënon shkatërrimin e pakthyeshem të Kosovës”, thuhet në letren në të cilën kanë bashkangjitur kontratën ndërmjet Komunës së Deçanit dhe Kelkos.

KALLXO.com raportoi të mërkurën se Institucioni i Avokatit të Popullit ka publikuar raportin me rekomandime kundër Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit lidhur me çështjen e ligjshmërisë së procedurave që kanë të bëjnë me hidrocentralet në vend dhe qasjes në dokumente përkitazi me hidrocentralet.

Ky raport me rekomandime ka rezultuar pas hetimeve të Avokatit të Popullit lidhur me lëndët që kanë të bëjnë me çështjen e operimit të hidrocentraleve në Deçan dhe në Shtërpcë.

Avokati i Popullit nga analiza e tërësishme ka vërejtur se procesi lidhur me hidrocentralet në vend është përcjellë me mangësi të vazhdueshme sa i përket aspektit procedural tredimensional, qasjes në informata, pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje dhe qasjes në drejtësi.

Në anën tjetër kjo organizate, më 26 janar 2021 përmes një komunikatë i kanë bërë thirrje U. D. ministrit të ri të ekonomisë dhe ambientit Muharrem Nitaj që të veprojë lidhje me shkeljet që janë bërë nga KelKos mbi Grykën e Deçanit.

Kjo është letra e plotë e OJQ Pishtarët

Të nderuar: znj. Presidente, Dr. Osmani, Kryeministër, z.Hoti dhe Ministër i Ekonomisë dhe

Ambientit z.Nitaj

Të ndëruar: Ambasador i Austrisë, Mr. Weidinger, Ambasadorë të shteteve të kuintit: z. Rohde, znj. Butel, z. Abott, z. Orlando dhe z. Kosnett, Përfaqësuese Speciale e Zyrës së Bashkimit Evropjan në Kosove, znj. Apostolva, dhe Raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, znj. Von Cramon

Po ju drejtohemi për një çështje me shumë rëndësi për Deçanin dhe Republikën e Kosovës që urgjentisht kërkon vëmendjen e juaj.

Javën e kaluar është konfirmuar që disa zyrtarë në Ministri të Ambientit, mbrenda Divizionit të Ujërave, kanë filluar një proces të fshehtë dhe pa pjesëmarrje publike, të lidhin marrëveshje me kompanin Austriake, Kelkos Energji që në emer të Kosovës të leshojnë Leje Ujore për hidrocentralin Lumbardhin II, në Lumbardh të Deçanit.

Kjo leje është pikerisht e rëndësishme dhe është alarmante të konsiderohet sepse Kelkosi nuk ka përmbushë asnjë detyrim ligjor që të vijë tek kjo leje edhe pasi: Kelkosi ka shkaktuar ekocid në vendin e quajtur Zalli i Rupës përmbi Lumbardh, dhe ka gati 10 vite që nuk po ndërmerr asnjë hap drejt rehabilitimit; Kelkosi nuk ka bërë ndërtimin e bazenit akumulues në Zallin e Rupës, siç e parasheh projekti i tyre që e ka pranuar Kosova; Kelkosi ka nënshkruar kontratë me komunën e Deçanit në Mars 2012 që kërkon të përmbushë një varg detyrimesh ndaj deçanasëve, por prapë, nuk ka përmbushë ASNJË detyrim në të mirën tonë.

Ne kemi mësuar nga Ministria se lëshimi i kësaj leje po trajtohet në mënyrë urgjente dhe se po shkruhet një “raport gjeologjik” pa asnjë studim, për të mbuluar ekocidin në Zallë të Rupës. Sipas Ministrit Nitaj, edhe puna e bazenit do të adresohet me një “aneks”. Por pasi është duke ndodhë në errësirë, ende nuk është qartë se çka përmbanë ky raport apo ky aneks, por është teper e qartë se qëllimi është që Kelkosi urgjentisht të pajiset me lejet që i kërkon para zgjedhjeve. Ministria haptas po lejon se rehabilitimi dhe adresimi i ekocidit, ndërtimi i bazenit dhe kushtet tjera ligjore që ish dashtë të përmbushën qe sa vite, të tejkalohen me arsyetim se mund të adresohen më vonë.

Ju lutem na ndihmoni ta kuptojmë si ka logjikë kjo punë? Pse është kaq urgjente që Kelkosi të ketë një cope letër tash para zgjedhjeve dhe mos të presin të rehabilitojnë dhe plotesojnë kushtet ligjore, dhe pastaj te aplikojnë? A ka rëndesi që lumi ende është i vdekur?

Duke konsideruar dëmin e shkaktuar, ne e kemi bërë të qartë se adresimi i problemit të Zallit të Rupës duhet të fillojë me studime nga ekspertet e pavarur që duhet të zgjedhen nga mekanizma objektiv, dhe pasi të kemi rezultatet dhe rekomandimet e eksperteve, te fillojmë procesin administrativ. Kjo është e vetmja zgjidhje e pranueshme dhe legjitime që mund të qendrojë.

Kjo ka qenë e kuptueshme dhe e pranueshme edhe nga udhëheqësit e Kelagut ne Austri se këto degradime tashmë kanë dalë jashta proceduarave burokratike dhe kërkojnë angazhim të komunitetit shkencor. Çka ndodhi tash?

Gjithashtu, kanë kaluar gati 10 vite që Kelkosi po refuzon të respektojë anën e tyre të kontratës me Deçanin. Ne si deçanas e kemi respektuar anën tonë, sa që të gjitha këto shkelje i kanë bërë, edhe lumin e Zallit të Rupës e zhduken, por ata ende janë ketu, dhe ne po ju japim shansë qe të respektojnë ligjin dhe që të bëhën pjesë e komunitetit tonë. Duke marë parasysh se kontrata e Kelkosit me Deçanin përmbanë të gjitha pikat e duhura ligjore për të ardhur te Leja Ujore dhe se komuna e Deçanit dhe Ministria e Ambientit jo vetëm që nuk po kërkojnë zbatim e saj por edhe po e fshehin nga publiku, ju lutem të keni parasysh se banorët e Deçanit janë të vetmit trup legjitim që së bashku mund të vendosin për detajet e zbatimit të kësaj kontrate, që përfshin rehabilitimin dhe bazenin akumulues. Zyrtarët në Ministri mund të bëjnë vetëm marrëveshje përsonale me Kelkosin dhe asesi në emër të Kosovës dhe aq më pak të deçanaseve.

Prandaj, në emër të banorëve të Deçanit të prekur nga ky ekocid, ne shprehim zhgënjim që këta zyrtarë dhe Kelkosi kanë marrë guximin të punojnë pas shpinës së publikut, por ne duam të jemi të qartë se çdo marrëveshje ose leje që nënshkruhet në errësirë, pa zërin tonë dhe pa përmbushur detyrimet ligjore që ishin në vend, është në kundërshtim me kornizën ligjore kosovare dhe evropiane që udhëheq investimet e huaja dhe mbrojtjen e mjedisit. Si i tillë, ky është një kërcënim për sundimin e ligjit në Kosovë, jetesën tonë që varet nga këto resurse dhe do të ketë pasoja të rënda për institucionet publike, tashmë gati të deshtuara. Fatkeqësisht, ndikimi i këtij vendimi është kaq i madh, në shumë nivele sa që mund të jetë veprimi që shënon shkatërrimin e pakthyeshem të Kosovës.

Nëse kjo ndodh, Kelkosi dhe zyrtarët përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi në Kosovë dhe gjykatat ndërkombëtare, jo vetëm për ekocidin dhe mohimin e pjesëmarrjes së publikut në këto vendime, por më e rëndësishmja, që me dijeni kanë marë vendimeve që dëmtojnë rënde legjitimitetin e institucioneve publike dhe shuajnë ëndrrën dhe mundësinë që miliona qytetarë të jetojnë në Kosovë me dinjitet.

Ne shpresojmë fuqimisht që as zyrtarët e Kosovës dhe as Kelkosi nuk do të rrezikojnë të marrin këto përgjegjësi para ligjit dhe para popullit të Kosovës, Austrisë dhe gjithë Evropës.

Për lideret e Kosovës: ju lutemi merni masat e duhura ne kapacitetet e juaja në mbrojtjte te ligjit dhe banoreve te Decanit. Eshte përgjegjësi e juaja që të siguroni se institucine publike nuk meren peng për interesa private. Presim ndërhyrjen e juaj!

Ndërsa për përfaqësuesit e Austrisë, shteteve të quintit dhe BE-së, përgjegjësia për veprimet e Kelkosit si kompani e huaj bie gjithashtu edhe mbi ju sepse ata po veprojnë kundër ligjit pa u ndëshkuar sepse pas tyre qëndron emri “austriak, evropian, investitor i huaj”. Korrupsioni ka gjymtuar Kosovën dhe vit pas viti ne marrim të njëjtin mesazh nga institucionet që ju përfaqësoni: se ne jemi prapa në luftën kundër korrupsionit. Ne u përpoqëm dhe nuk mund t’i ndalojmë ata, vetëm ju mundeni!

Ju lutem gjeni të bashkangjitur evidencë se çka po tentohet të mbulohet me këto leje, si dhe listen e detyrimeve të Kelkosit ndaj komunës se Deçanit.

Ju faleminderojmë për vëmendjen në këtë çështje me shumë rendesi për të ardhmen e Kosovës!

OJQ Pishtarët- Deçan

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.