Piktura e Mimoza Rracit, “vizë” e Kosovës në botë

Jo rrallë, arti e artistët e Kosovës arrijnë të kalojnë kufijtë shtetëror dhe të thyejnë barrierat diplomatike mes shteteve e kontinenteve.

Piktura e piktores nga Gjakova, Mimoza Rraci e cila pasqyron sfidat e  punonjësve shëndetësor gjatë pandemisë është shndërruar në kartolinë të festave të fundvitit në  Tajlandë dhe po përdoret si ballinë në artikujt e mediave të famshme në botë, si “Time”, “Le Figaro” e “Le Journal de Montréal.”

Kjo pikturë e cila përfshihet nga ngjyra e kaltër, duke filluar nga flamuri i Kosovës në maskë,  uniforma e mjekes po përdoret në Tajlandë si shenjë falënderuese për heronjtë e vitit 2020.

Mimoza Rraci tha se pasi e kanë parë pikturën nga Ambasada e Republikës së Kosovës në kryeqytetin tajlandez Bangkok kanë kërkuar që ta përdorin për atë kartolinën e fundvitit.

“Këtë vite ideja ka qenë qe kartolina të pasqyroj falënderimin për kontributin e punëtoreve te linjës së parë. Në momentin që kanë pa muralin e kanë menduar si mundësi më të mirë dhe të qëlluar për atë rast dhe më kanë kërkuar nëse mund ta përdorin. Unë me shumë kënaqësi kam dhënë përgjigje pozitive” tha Rraci për KALLXO.com.

Rraci tha se Ambasada ishte në kërkim të një pikture për kartolinën e fundvitit e cila përshkruan më së miri gjendjen me pandeminë.

Ajo për KALLXO.com tha se punimin e këtij murali ja ka kërkuar kompania e teknologjisë mjekësore “Yess Pharma” dhe se e ka punuar me shumë zemër  për faktin që po ju falënderoheshin shpëtimtareve të këtij viti jo të mirë.

“E kush do e mendonte që në këtë kohë me kufij të mbyllur, arti im do të arrij ta thyej atë rregull e të kaloj përmes tyre dej në Tajlandë! Ndjesi e papërshkrueshme, e bukur në ditë të zorshme. Pa fjalë” tha Rraci.

Murali i Mimoza Rracit kartolinë në Tajlandë; Fotografi: Mimoza Rraci në Facebook

Artistja përmes një shkrimi në Facebook ka falënderuar Ambasadën për vlerësimin e saj.

“Çfarë ndjesie, Ambasada e Kosovës në Tajlandë përmes punës sime falënderon heronjtë e 2020-tës”, kishte shkruar Rraci.

Sot në revistën javore amerikane “Time” është përdorur si ballinë në një artikull falenderues ndaj mjekëve.

Murali i Mimoza Rracit ballinë në revistën amerikane “Time”; Fotografi: Mimoza Rraci në Facebook

Kjo pikturë është publikuar edhe në prestigjiozen franceze “Le Figaro” si ballinë e një artikulli për përdorimin e obligueshëm të maskës, fotografi e realizuar nga Armend Nimani.

Përpos kësaj murali u publikua edhe në tabloidin e të përditshmes “Le Journal de Montréal” në Quebec në Kanada.

Pikturat, muralet në lokale, shtëpitë e në parqet e Kosovës,  skulpturat në miniaturë, punimet në rroba, portretet në pjata, e ilustrimet e ndryshme në materiale të pazakonshme si në trupa njerëzor, vezë, gjethe, janë vetëm disa nga veprat artistike që i realizon artistja Mimoza Rraci.

Rraci, ka përfunduar fakultetin për dizajn grafik por ka 12 vite që pasionin e saj ndaj pikturës e ka shndërruar në profesion.