Pikat qendrore të programit qeverisës të Vetëvendosjes

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka prezantuar programin qeverisës të partisë së tij.

Kurti ka përmendur fushat që sipas tij do të jenë prioritet i qeverisjes 4-vjeçare.

Prioritet kryesor Kurti ka shpallur luftimin e pandemisë për vitin e parë të qeverisjes.

Ai premtoi vaksinimin e më shumë të 60% të popullatës me vaksinën kundër COVID-19.

“Masat e parandalimit do të jenë të menjëhershme. Vaksinimi i më shumë se 60% të popullatës, sigurimi i qendrueshëm i materialeve elementare mbrojtëse, barnave dhe testeve. Trajnim i vazhdueshëm i stafit shëndetësor. Komunikim i denjë, transparent dhe i dendur me qytetarët”.

Ai tha se do të fillojë bashkëpunimin me vendet e rajonit, sidomos me Shqipërinë, për përballje kundër COVID-19, ndërsa tha se do të përgatitet për aplikim në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Një tjetër çështje që lidhet me pandeminë dhe pasojat e saj, Kurti tha se për qeverinë e tij kthimi i jetës ekonomike në normalitet do të jetë një prioritet tjetër në ditët, muajt dhe vitin e parë të qeverisjes.

“Jo vetëm kthim në normalitet por edhe përgatitje e të gjithë neve e mënyrës së të bërit biznes. Synojmë ekonomi që del nga pandemia, që ka më shumë nevojë edhe për gratë, për rininë, komunitetin. Ku ka më shumë prodhim e eksport, më shumë punëtorë e kontrata të punës dhe respektim të drejtave të punëtorëve”, deklaroi Kurti.

Kthimin në normalitet të ekonomisë, Kurti e lidhi me mbështetjen për bizneset dhe sektorin privat. Ai premtoi mbështetje për bizneset që krijojnë qasje në tregjet ndërkombëtare.

“Mbështetje do të krijohet për të gjitha bizneset që arrijnë të krijojnë qasje në tregjet ndërkombëtare dhe të rrisin eksporet e Kosovës.  Për të gjithë ndërmarrësit që hapin linja të reja të prodhimit, që arrijnë të shtojnë numrin e punëtorëve”.

Një mbështetje të veçantë kreu i Vetëvendosjes premtoi për bizneset që promovojnë ruajtjen e ambientit.

“Mbështetje shtesë do të ketë për bizneset në sektorin ekonomik që promovojnë efiçiencën e energjisë dhe ruajnë ambientin”, premtoi Kurti.

Një tjetër sektor të biznesit, atë në emër të grave, Albin Kurti tha se është parakusht për fuqizimin e ekonomisë.

“Rritja e bizneseve në emër të grave është parakusht për fuqizimin edhe të ekonomisë. Përmes mbështetjes intensive të rritjes së numrit të fëmijëve në çerdhe, do të krijojmë më shumë hapsirë për gratë, që të kyçen në tregun e punës”.

Rininë e konsideroi si një resurs të çmuar dhe njëkohësisht më të nëpërkëmbur në Kosovë. Sipas tij, qeveria e tij ka përgatitur një pako intervenimesh që synojnë adresimin e problemit të rinisë, duke premtuar rritje të bursave.

“Qeveria jonë ka përgatitur një pako intervenimesh që synojnë adresimin e problemit të shkallës së ulët të angazhimit të të rinjëve në jetën ekonomike. Fillon nga rritja e bursave për studentët që duan të orientohen drejt fushave të studimit që kërkohen në tregun e punës, fuqizimi i angazhimit të të rinjve në praktikat profesionale të paguara dhe subvencionuara nga shteti”.

Një premtim edhe për mërgaten e pati Albin Kurti. Ai premtoi që mërgata nuk do të paguajë më Kartonin e Gjelbër.

“Nuk do të ketë më Karton të Gjelbër për mërgatën, ne do të kujdesemi që mërgata të avansohet në mbështetës të fuqishëm të përpjekeve tona për zhvillim ekonomik e shoqëror”.

Ndërsa për bujqit dhe fshatin, Albin Kurti tha se do të kujdeset që më të mos shfrytëzohen vetëm në kohë të zgjedhjeve, duke alokuar grante mbështetëse me linja partiake.

“Bujku e fshati do të mbështeten shumë më shumë se me grante e subvencione. Do të mbështesim financimin  e bujqësisë me kredi që kanë brenda një periudhë pushimi më të gjatë. Do të lehtësojmë promovimin e turizmit rural”, premtoi Albin Kurti.

Ish kryeministri përmendi Fondin Sovran e Bankën Zhvillimore për rritjen e investimeve.

“Do të krijojmë Fondin Sovran dhe Bankën Zhvillimore të Kosovës. Fondi Sovran do t’i marrë në pronësi asetet strategjike të Kosovës dhe do ta ketë përgjegjësinë për investime në rritjen e vlerës së tyre”.

Ndërsa tha se qeverisja e tij do t’u garantojë punëtorëve plotësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagës minimale.

“Do të pesëfishojmë inspektorët e punës. Do të fuqizojmë bashkëpunimin me sindikatat. Zotohem se paga minimale do të rritet në 250 euro, për angazhim mujor prej 40 orësh në javë dhe do të përjashtohet nga tatimi”, tha Kurti.

Tutje, Kurti premtoi për çiftet e reja dhe gratë kryefamiljare se do t’u mundësojë banim të përballueshëm për 4 mijë familje.

“Para të gjitha familjeve dhe prindërve, zotohem se do të punoj për të iu mbështetur në sigurimin e banimit të përballueshëm për çdo kategori të shoqërisë.Për çiftet e reja, gratë kryefamiljarë, por edhe shërbyesit publik, vetëm gjatë mandatit të parë të qeverisjes do të iu mundësojmë banim të përballueshëm për 4 mijë familje”.

Një tjetër prioritet i qeverisjes së tij është edhe sistemi i drejtësisë, ku premtoi procesin e vettingut.

“ Pjesë integrale e sistemit të drejtësisë është gjyqësori i paanshëm, i pavarur me integritet dhe efikas. Për të arritur këtë, do t’i nënshtrohet procesit të vettingut. Duke marrë parasysh rëndësinë e këshillave, do të nisë nga Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial”, tha Kurti.

Ndërsa Kurti  premtoi edhe krijimin e Gjykatës Administrative e të Punës.

“Do të shtohen kapacitetet në departamentit special në kuadër të Themelores dhe të Apelit. Do të punohet në krijimin e Gjykatës Administrative dhe të Punës.Duke pasur parasysh rëndësinë, do të shtohen kapacitet e Prokurorisë Speciale dhe prokurorët do të ndahen në departamente, me prokurorë të rinj e bashkëpunëtorë profesionalë”, ishin disa nga premtimet e Albin Kurtit gjatë prezantimit të programit së partisë së tij.