Kufiri, Merdare, 5 shkurt 2024

Pikat kufitare në Merdarë dhe Bërnjak ende të mbyllura

Dy pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Merdarë dhe Bërnjak po vazhdojnë të jenë të mbyllura për qarkullim.

Derisa, qarkullimi po vazhdon në pikëkalimin kufitar në Jarinjë.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, zv.drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së veriut, Veton Elshani.

Edhe sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, këto dy pika vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Rreth 30 persona në Jarinjë e Bërnjak, diku rreth 50 persona në Kullë e Merdarë, dolën dhe iu bashkuan kërkesës për të protestuar dhe bllokuar rrugët matanë kufijve që ndajnë Kosovën me Serbinë, më 06.09.2024.

Kjo protestë u thirr para disa ditësh përmes rrjetit social “Telegram”. Aty u bë thirrje për pjesëmarrje në këto protesta për të bllokuar pikat kufitare nga Serbia me Kosovën.

Kërkesë e tyre është që institucionet që janë mbyllur në Kosovë, ku kanë funksionuar struktura paralele serbe t’u rikthehen qytetarëve serbë.

Në thirrjen në “Telegram” kërkohej nga ata që i bashkëngjiten protestës të marrin tenda me vete, ushqim e rroba.

Ndërrimi thuhej se do të bëhet çdo 12 orë i atyre që do të mbajnë të bllokuar pikën, dhe përveç veturave të emergjencave nuk do të lejohet qarkullim i veturave të tjera që nuk janë me tabela të Beogradit.

Ndaj kësaj situate, ka reaguar ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla.

Të premten, më 06.09.2024, ninistri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se këto dy pikëkalime janë mbyllur për pasi persona të maskuar në pjesën serbe të kufirit po i “ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste” qytetarët që duan të kalojnë transit përmes Serbisë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës u pati bërë thirrje shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit.

Më 30.08.2024, Qeveria mbylli pesë institucione paralele serbe në katër komunat me shumicë serbe, për të cilat tha se vepronin në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit.

Punëtorët e atyre institucioneve paralele kanë protestuar dy ditë kundër mbylljes së tyre dhe kanë kërkuar kthimin në vendet e punës.