Ilustrim
Pikat kufitare me Kosovën që pritet të bllokohen pas thirrjeve për protesta nga një grup qytetarësh në Serbi
Vendkalimet Bërnjak, Jarinje, Merdare nga ana e Serbisë qendrore dhe vendkalimi Kullë në rrugën Pejë- Rozhajë nga ana e Malit të Zi – janë pikat për të cilat është njoftuar se të njëjtat do të bllokohen nga grupe të ndryshme të qytetarëve serbë.
Një protestë e cila është thirrur për sonte (06.09.2024) e që pritet të fillojë në orën 18:00 do të bëjë që disa nga pikat kufitare të bllokohen. Bllokimi thuhet se do të jetë nga pjesa e territorit të Serbisë.
Kjo protestë është thirur tash e disa ditë përmes rrjetit social “Telegram.” Aty është bërë thirrje vazhdimisht për pjesëmarrje në këto protesta për të bllokuar pikat kufitare nga Serbia me Kosovën.
Në disa prej thirrjeve është bërë edhe kërkesa që protestuesit të pajisen edhe me veshje, ushqim dhe të mbajnë orare nga 12 orë në protesta.
Kërkesa që do të bëhet përmes kësaj proteste është që policia të tërhiqet nga veriu i Mitrovicës si dhe objektet që u mbyllën nën dyshimin se funksionuan strukturat paralele serbe, e të tjera që tashmë janë zëvendësuar me kompani shqiptare të kthehen në pronësi të serbëve.
“Bllokada do të fillojë nesër në orën 18:00 dhe do të zgjasë derisa të ashtuquajturat forca policore të Kosovës të tërhiqen nga veriu i Kosovës dhe t’ua kthejnë serbëve institucionet e uzurpuara. Gjithashtu kërkojmë që KFOR-i në përputhje me mandatin e Rezolutës 1244 të mos lejojë ta marrin kontrollin e veriut të Kosovës”- është thirrja e grupit të organizuar për këtë protestë e që njoftimi është bërë publik në grupin “Korridori” në “Telegram.”
Bllokadat sipas grupit do të zgjasin deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të qytetarëve.
“Ne do të bllokojmë vendkalimet Bërnjak, Jarinje dhe Merdare nga ana e Serbisë qendrore, dhe kalimin Kulla në rrugën Pejë-Rozhaje nga ana e Malit të Zi. Vendkalimi administrativ Konçul nuk do të bllokohet tani për tani”- thuhet tutje në njoftim.
Sipas njoftimit, për të kaluar barrikadat që do të krijohen nga qytetarët do të lejohen vetëm mjetet shëndetësore si dhe persona që kanë dokumentacion serb.
“Të paktën 400 persona do të marrin pjesë në bllokadë në çdo vendkalim”- është thënë në këtë njoftim.
Policia e Kosovës ka njoftuar edhe se ka një plan policor edhe për këtë rast ndërsa po vazhdon punët ditore të saja edhe në katër komunat në veri të vendit.
Kurse ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka njoftuar se më 30.08.2024, janë mbyllur institucionet paralele ilegale të vetëqeverisjes lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cënuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Si rrjedhojë, ministri Krasniqi ka bërë të ditur se cilat komuna paralele nuk do të operojnë më.
“Komunat paralele të cilat nuk do të operojnë më janë: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit” – ka shkruar ministri Krasniqi në Facebook, më 30.08.2024.
Sipas ministrit Krasniqi, pesë komunat paralele që ka përmendur se nuk do të operojnë më, do t’i bashkohen 7 komunave të tjera paralele të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.
Më 26.01.2024 u mbyllën katër komuna paralele në fshatin Vranisht të Dragashit, ndërsa më 02.02.2024 u mbyll një komune ilegale serbe në Pejë e në të njëjtën ditë u zhvillua aksioni policor edhe në komunën e Klinës, Istogut.
Tutje, Krasniqi ka theksuar se mbesin të përkushtuar për sa më shumë shërbime me cilësi sa më të lartë dhe se institucionet e Republikës së Kosovës oftojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim si dhe ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë.
“Qytetarët pa asnjë dallim, kanë adresë të saktë ku mund t’i marrin shërbimet komunale dhe strukturat paralele e kanë të qartë se nuk mund të operojnë jashtë kornizës ligjore të Republikës së Kosovës. Nuk ka vend për operim ilegal dhe shërbime paralele në asnjë hapësirë të Republikës sonë” – ka përfunduar Krasniqi.
Ndërkohë oatrullimi i shtuar i pjesëtarëve të KFOR-it në urën mbi lumin Ibër vjen pas deklarimeve të Qeverisë së Kosovë se ura duhet të hapet për qarkullim edhe të veturave.
Ndërkombëtarët e kanë kundërshtuar këtë gjë, duke bërë thirrje se çështja e urës duhet të diskutohet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.