Pika kufitare në Jarinjë. Foto: KALLXO.com

Pika kufitare në Jarinjë ende jashtë funksionit

Pika kufitare në Jarinje, një nga pikat që lidh Kosovën me shtetin fqinj, Serbinë, është ende jashtë funksionit.

KALLXO.com merr vesh se kjo pikë kufitare nuk po kryen shërbimet pasi ende nuk është marrë vendimi i ri i Qeverisë së Kosovës për shtyrje të afatit të zbatimit të reciprocitetit sa u përket dokumenteve të identifikimit për shtetasit serbë që hyjnë në Kosovë.

Për këtë vendim, kryeministri i vendit, Albin Kurti, në një konferencë për media tha se deri sa të largohen 9 barrikadat e vendosura, sipas tij, nga bandat kriminale të strukturave ilegale serbe, nuk do të shtyhet as afati.

Siç është raportuar deri më tani janë larguar dy barrikada. Ajo në fshatin Zupç të Zubin Potokut dhe në fshatin Rudar të Leposaviqit.

Rruga për në pikën kufitare në Bërnjak është ende e bllokuar.

Mbi urën kryesore që të dërgon në këtë pikë janë vendosur mjete të rënda.

Burimet e KALLXO.com thonë se automjetet e rënda ishin vendosur në rrugë nga persona të maskuar, e madje edhe largimi i tyre u bë nga persona që po ashtu ishin të maskuar dhe vështirë të identifikueshëm.

Gjatë ditës, kryeministri Kurti së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme në një konferencë për media kanë folur për situatën e tanishme dhe zhvillimet e djeshme.

Kurti ka thënë para mediave se janë të vendosura 9 barrikada në veri të Ibrit dhe deri sa të largohet edhe barrikada e fundit, vendimet e 29 qershorit për reciprocitetin për letërnjoftimet dhe regjistrimin e automjeteve me targa RKS nuk do të shtyhen.

Ministri Xhelal Sveçla ka njoftuar se si pasojë e zhvillimeve të djeshme janë lënduar 11 qytetarë dhe janë dëmtuar vetura të qytetarëve dhe të Policisë.

Gjatë ditës së djeshme, një ditë para se të hynin në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, grupe të organizuara serbësh bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Kryeministri Albin Kurti përmes një deklarate mbrëmë tha se përgjegjësit kryesorë për tensionet në veri janë Aleksandar Vuçiq dhe Petar Petkoviq.

Ndërsa Qeveria e Kosovës pas takimit me ambasadorin amerikan ka deklaruar se jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit deri më 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.

Pika kufitare në Jarinjë. Foto: KALLXO.com