Komuna e Malisheves. Malisheve. 28.05.15 Photo: Atdhe Mulla

Pickimi nga rriqrat, në Malishevë nuk ka rritje të rasteve

Në komunën e Malishevës gjendja është e qetë dhe e menaxhueshme, sa i përket rasteve të pickimit nga rriqrat.

Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje për KALLXO.com, drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Liridon Hoti.

Sipas tij, deri më tash numri i të pickuarve nga rriqrat është 17.

“E kemi numrin 17, por nuk është shqetësuese në krahasim me vitet e tjera, nuk ka rritje. Mundem me thënë që është qetë për momentin”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, dezinfektimin për rriqrat e bën Ministria e Shëndetësisë, por një pjesë e kryen edhe komuna.

“Për dezinfektimin, Ministria e ka të kontraktume kompaninë që tre vite ajo vazhdimisht e bën, por këtë vit ende nuk e kemi konstatu që është e nevojshme dhe numri nuk është i rritur, për me e bo kërkesën që ajo me dal në teren. Ne procedurat në komunë i kemi fillu, sepse një pjesë komuna e bën dezinfektimin, ku janë 60 mijë euro të planifikuara”, ka thënë Hoti përmes telefonit.