Pfizer fillon provat për dozën e tretë te fëmijët 6 muaj deri në 5 vjeç

Prodhuesi i vaksinave Pfizer tha të premten se provat e vaksinës së saj te fëmijët e moshës 2 deri në 5 vjeç tregojnë se ajo nuk siguroi imunitetin e pritur tek fëmijët e kësaj moshe dhe po shton një dozë të tretë në testim.

Kompania vendosi të shtojë dozën e tretë për të gjithë fëmijët nga 6 muaj deri në 5 vjeç, raporton CNN.

“Studimi tani do të përfshijë vlerësimin e një doze të tretë prej 3 mikrogramësh të paktën dy muaj pas dozës së dytë të serisë me dy doza për të siguruar nivele të larta mbrojtjeje në këtë grupmoshë të re,” thanë nga kompania.

Pfizer kishte ulur madhësinë e dozës për fëmijët. Për grupmoshën 12 vjeç e lart, doza është 30 mikrogramë vaksinë. Pfizer dhe BioNTech e ulën këtë në 10 mikrogramë për fëmijët 5 deri në 11 vjeç dhe e ulën edhe më pak, në 3 mikrogramë dozë, për fëmijët më të vegjël.

Testet e hershme kishin treguar se kjo dozë e vogël do të prodhonte një përgjigje të fortë imune tek fëmijët dhe do të minimizonte rrezikun e efekteve anësore.

“Asnjë shqetësim sigurie nuk u identifikua dhe doza 3 mikrogramë tregoi një profil të favorshëm sigurie tek fëmijët nga 6 muaj deri në 5 vjeç”, tha Pfizer në një deklaratë.

“Vendimi për të vlerësuar një dozë të tretë prej 3 mikrogramësh për fëmijët nga 6 muaj deri në 5 vjeç pasqyron angazhimin e kompanive për të zgjedhur me kujdes dozën e duhur për të maksimizuar profilin rrezik-përfitim”, shtoi ai.

“Nëse studimi me tre doza është i suksesshëm, Pfizer dhe BioNTech presin të dorëzojnë të dhëna tek rregullatorët për të mbështetur një Autorizim Përdorimi Emergjent (EUA) për fëmijët nga 6 muaj deri në 5 vjeç në gjysmën e parë të 2022.”

Kompania gjithashtu do të testojë dozat e treta te fëmijët më të rritur, të cilët nuk kanë ende autorizim për doza përforcuese të vaksinës.