Pezullohet Pëlqimi Mjedisor për kompaninë që synon ndërtimin e çimentores në Klinë (DOKUMENT)
Ministria që drejtohet nga Liburn Aliu të martën mori një vendim që pezullon pëlqimin mjedisor të kompanisë e cila synon ndërtimin e një fabrike të çimentos në fshatin Dollc të Klinës.
Banorët e disa fshatrave të Klinës në vazhdimësi kanë kundërshtuar ndërtimin e çimentores, duke argumentuar se ajo ua ndotë ambientin dhe e shndërron vendbanimet e tyre në zona ku nuk mund të jetohet nga ndotja.
Vendimin, të cilën e mori zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm i ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Izedin Bytyqi, ka përmendur si argument kryesor rastin për të cilin tashmë po zhvillohet një procedurë gjyqësore.
“Vendimi 01Nr.06-15082/2022, i Kuvendit Komunal të Klinës, mbi lejet e dhëna Fabrikës është kontestuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, përmes inicimit të konfliktit administrativ në Gjykatë”, thuhet në vendim.
“Deri në marrjen e vendimit të Gjykatës, përmbajtja e të cilit mund të kontestoj çdo pëlqim tjetër të dhënë, këtu përfshirë ato të Ministrisë së Mjedisit, pezullimi i lejeve është i obligueshëm për këtë të fundit”, thuhet tutje në vendim.
Ministria e Mjedisit ka thënë se ky vendim është i domosdoshëm derisa Gjykata kompetente do të marrë një vendim për rastin.
Emisioni “Kallxo Përnime” e ka trajtuar rastin e fabrikës së çimentos në Klinë.
Banorët e disa fshatrave të Klinës kanë protestuar përsëri edhe më 14 maj për të kundërshtuar ndërtimin e fabrikës së çimentos në fshatin Dollc.
Më 25 prill të këtij viti, KALLXO.com raportoi për kundërshtimet që qytetarët e komunës së Klinës po i bëjnë ndërtimit të një fabrike të çimentos që është planifikuar të ndërtohet në Dollc.
Në vitin 2020, qytetarët që u angazhuan për ta kundërshtuar këtë fabrikë duke mbledhur rreth 4 mijë e 700 nënshkrime në një peticion që kundërshtonte ndërtimin e kësaj fabrike.
Lufta e banorëve të fshatrave të Klinës për ta stopuar ndërtimin e fabrikës së çimentos
www.kallxo.com