Ilustrim

Pezullohet greva në të gjitha gjykatat dhe prokuroritë e vendit

Punëtorët e administratës së prokurorive dhe gjykatave e kanë pezulluar grevën, e cila kishte filluar që nga data 1 mars 2022.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media ku pas takimit të mbajtur palët janë pajtuar që greva të pezullohet.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) njofton se pas takimit të mbajtur sot së bashku me Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe Sindikatën e Pavarur të Juridikaturës, janë dakorduar që greva të pezullohet në të gjitha gjykatat dhe prokuroritë e vendit”-thuhet në njoftimin e KGJK-së.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka njoftuar se vazhdon të mbështesë kërkesat legjitime të punonjësve të administratës.

Greva ishte mbajtur me kërkesën për aprovimin e Ligjit për punëtorët e Administratave të Gjykatave dhe Prokurorive.

Kërkesat specifike kanë qenë: “Aprovimi i Ligjit për punëtorët e administratës së gjykatave dhe prokurorive duke u bazuar në projekt ligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Zyrtar Publik 06/L-114 neni 2 pika B. Përafrimi pagave të punëtorëve të administratës së gjykatave dhe prokurorive në raport me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pagesa lineare nga 150 euro, për çdo punëtor të administratës së gjykatave dhe prokurorive deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga. Të paguhet shujta ditore në shumën prej 3 euro. Të paguhet pagesa e udhëtimit në shumën prej 3 euro”.