Pezullohen ndërtimet e të gjitha hidrocentraleve deri në kalimin e pandemisë

Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS) sot ka urdhëruar ndaljen e të gjitha punimeve ndërtimore që ndikojnë në burimet ujore.

Kjo urdhëresë nuk do të ndalë punën e hidrocentraleve që tashmë operojnë.

Kjo urdhëresë vlen derisa të kalojë pandemia COVID-19.

“Për ndryshimin dhe plotësimin e Urdhëresës të Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike nr. 01/05 të 23 Marsit 2020 për mbarëvajtjen e veprimtarive ekonomike gjatë emergjencës së shëndetit publik”, thuhet në njoftim.

 

 

Në lidhje me ndaljen e punimeve në hidrocentrale dje ka reaguar edhe Shoqata e Energjisë së Ripërtërishme, SHERK, përmes një letre drejtuar kryeministër i Republikës së Kosovës Albin Kurtit dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit Lumir Abdixhiku, ka kërkuar që të mos ndalen punimet për ndërtimin e hidrocentraleve në Kosovë.

Ata përmes letrës kanë thënë që projektet janë ndërtuar, apo janë duke u ndërtuar kryesisht nëpër zona malore të pa shfrytëzuara dhe me ndikime minimale sociale e mjedisore, përjashtimit ndonjë projekti të veçantë që ka mundur të ketë ndonjë ndikim edhe pse janë ndërtuar larg burimeve të ujit të pijshëm.

Po ashtu, SHERK ka thënë në letër se çdo vendim që mund të merret tani, kur pothuajse janë përfunduar shumica e punimeve, do të ishte në kundërshtim të marrëveshjeve dhe të Ligjit për Investime Nr. 04/L-220 ku në nenin 6 par. 2 fuqizohet mbrojtja e investitorëve.

Në letër thuhej tutje se nëse merret ndonjë vendim për ndaljen e punimeve tash,  në rast të ndonjë vendimi arbitrar, pasojat dhe dëmet që mund të shkaktohen për të gjitha palët do të ishin mjaft të mëdha sidomos për Buxhetin e Republikës së Kosovës, pasi që, sipas shoqatës, çdo projekt është i pajisur me të gjitha lejet dhe në pajtim me legjislacionin në fuqi.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për ndërtimin e hidrocentraleve, shkrimet e publikuara mund t’i lexoni në këtë LINK.

Po ashtu, edhe në këtë LINK.

Shkatërrimi i lumit Lepenc nga hidrocentralet e vogla