Pezullohen kërkimet për turistin e zhdukur që 10 ditë në majën e Rosit

Shërbimi i Kërkim – Shpëtimit Malor të Kosovës ka njoftuar se pas thirrjes së autoriteteve të Shqipërisë, kanë vazhduar kërkimet e një turisti të zhdukur më 05.09.2024, por nuk kanë gjetur gjurmë.

Kësisoj, sipas njoftimit operacioni është pezulluar deri në mbledhjen e informatave të reja nga autoritet përgjegjëse.

Sipas njoftimit, operacioni është zhvilluar në katër drejtime operacionale, një nga ajri me helikopter dhe tre të tjera nga toka duke e zgjeruar perimetrin e kërkimit.

Megjithatë sipas njoftimit, gjatë kërkimit nuk është hasur asnjë gjurmë.

“Operacioni është zhvilluar në 4 drejtime operacionale,1 nga ajri me helikopter dhe 3 të tjera nga toka duke e zgjëruar perimetrin e kërkimit. Gjithashtu jemi koordinuar edhe me Shërbimin e Shpëtimit Malor të Malit të Zi, të cilët kanë zhvilluar operacionin në pjesën e Malit të Zi. Fatkeqësisht gjatë kërkimit nuk është hasur në asnjë gjurmë”- thuhet në njoftim.

Operacioni është zhvilluar në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit, Forca të Armatosura të Shqipërisë dhe Shërbimi i Kërkim – Shpëtimit Malor të Shqipërisë.

Sipas informacioneve, ShKShMK ka pranuar një thirrje për ndihmë nga Shërbimi i Kërkim – Shpëtimit Malor i Shqipërisë (stacioni Valbonë).

Turisti me shtetësi lituaneze T.K., i lindur më 1990, kishte dalë nga bujtina me datën 06.09.2024 për ta ngjitur majën e Rosit.