Pezullohen aktivitetet në Parkun e Biznesit në Lumadh të Vushtrrisë

Kuvendi Komunal i Vushtrrisë ka marrë vendim për pezullimin e aktiviteteve në Parkun e Biznesit në Lumadh, kjo pas diskutimeve në mbledhjen e mbajtur dje.

“Propozohet që fillimisht t’u drejtohemi organeve të drejtësisë për këtë çështje, pastaj duke u bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje të kërkojmë konsultim paraprak dhe të kërkojmë një opinion nga MAPL. Si dhe në bazë të kërkesës së Agjencisë kundër Korrupsion të pezullohen aktivitetet në Parkun Industrial deri në një vendim të ardhshëm të Kuvendit”- tha Melihate Basholli, kryesuese e Kuvendit Komunal.

Komisioni për Verifikimin e Pronës Komunale ka hartuar një raport me rekomandime në lidhje me dhënien në shfrytëzim të parcelave në parkun industrial në Lumadh në vitin 2021. Në atë kohë 22 biznese ishin përzgjedhur për t’u vendosur në Parkun e Biznesit, nga një komision vlerësues i formuar nga Kuvendi Komunal.

Në raportin e prezenetuar dje nga Komisioni për Verifikimin e Pronës Komunale në mbledhjen e Kuvendit Komunal, pretendohen një sërë shkeljesh gjatë përzgjedhjes së 22 bizneseve.

Agjencia Kundër Korrupsionit në mars të këtij ka konstatuar se ka ekzistuar konfilkti i interesit për dy asamblistë të cilët kishin qenë prezent në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal për vendosjen e bizneseve në Parkun e Biznesit, të mbajtur në prill të vitit 2021.

Njëri nga ta është asamblisti i Partisë Demokratike në Vushtrri, Ilmi Azemi. Në mesin e 22 kompanive të përzgjedhura për t’u vendosur në Parkun e Biznesit kishte qenë edhe një biznes me pronare bashkëshorten e djalit të vëllait të Azemit. AKK kishte thënë se vet-pjesëmarrja e Azemit në seancën e votimit paraqet konflikt interesi.

Ilmi Azemi në seancën e Kuvendit dje tha se sipas tij janë respektuar të gjitha normat ligjore për parkun e biznesit ndërsa shtoi se raportin nga Komisioni për Verifikimin e Pronës Komunale e konsideron joligjor dhe jo profesional.

“E konsideroj këtë raport jo ligjor. Unë deklaroj që 22 kompani që janë përzgjedh i kanë plotësuar kushtet në masën 100%, asnjë biznes që i ka plotësuar kushtet nuk ka mbetur jashtë ndërsa asnjë biznes që nuk i ka plotësuar kushtet nuk është përzgjedhur. Janë respektu të gjitha normat ligjore për këtë nuk mund të kthehet në pikën zero. Nuk dua ta komentoj raportin por është jo profesional dhe qëndroi prapa asaj që të gjitha kompanitë fituese i kanë plotësuar kushtet”- tha Azemi.

Komisioni për Verifikimin e Pronës Komunale kishte rekomanduar në raport shfuqizimin e vendimit të kuvendit komunal për dhëniën në shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale në Parkun e Biznesit në Lumadh; anulimin dhe shfuqizimin e të gjitha kontratave të lidhura në mes komunës së Vushtrrisë dhe operatorëve ekonomik në Parkun Industrial në Lumadh dhe shpalljen e konkursit publik për vendosjen e bizneseve në Parkun Industrial në Lumadh sipas afateve të parapara me ligj.

Nënkryetari i Komunës së Vushtrrisë, Shpëtim Zhegrova propozoi që Kuvendi të pezulloi aktivitetet në Parkun e Biznesit mirëpo Kuvendi Komunal të ketë një opinion.

Sipas Zhegrovës, gjatë procesit të përzgjedhjes së kompanive për vendosjen në parkun e biznesit ka pasur vepër penale.

“Lëreni të pezullohet vendimi, mirëpo le të ketë deklaratë prej Kuvendit. Unë e vlerësoj punën e komisionit dhe insistimit për votimin e rekomandimeve, është mendimi im që këtu ka ndodhur vepra penale për çka kallëzimet penale kanë shku në prokurori, por a i kanë marrë ato unë nuk e di andaj kuvendi duhet të marrë vendim për pezullimin e vendimit dhe të ketë një opinion”- tha ai mes të tjerave.

Ymer Haradinaj nga Lëvizja Vetëvendosje tha se raportin e hartuar nga Komisioni për Verifikimin e Pronës Komunale do ta dërgojnë në organet e drejtësisë.

“Kemi me e dërgu këtë raport edhe në institucionet e hetuesisë sepse janë 14 hektarë tokë në pyetje, ku vlera e vetëm një ari në atë pjesë fillon nga pesë mijë euro”- tha ai.

Parku i Biznesit është projekt i Ministrisë së Tregtisë me vlerë 1.3 milionë euro i cili kishte nisur ndërtimin në mars të 2019.

Kuvendi Komunal i Vushtrrisë kishte krijuar Komisionin për vlerësimin e ofertave për zonë Ekonomike në Lumadh.

Pjesë e këtij komisioni janë: Adnan Lahu, kryesues i Komisionit; Ymer Haradinaj përfaqësues nga LVV, Ilmi Azemi përfaqësues nga PDK, Agim Bregaj nga LDK, Berat Sadiku drejtor i Urbanizimit dhe Isak Hyseni nga shoqëria civile.Komisioni kishte miratuar aplikacionet e 22 bizneseve nga gjithsej 43 sa kishin aplikuar ndërsa para dy dite ky komision kishte dhënë rekomandimin për vendosjen e bizneseve në Parkun e Biznesit.

Formulari i plotësuar, certifikata e regjistrimit të biznesit, historiati i kompanisë, veprimtaria që do të zhvillojë dhe projekti ideor, kanë qenë kriteret e vendosura për bizneset të cilat kishin aplikuar për të qenë pjesë e Zonës Ekonomike.