Drejtori i Shërbimit Sptialor Klinik dhe Universitar të Kosovës - ShSKUK, Elvir Azizi Foto: ShSKUK, Facebook

Pezullimi i rregullores së brendshme ua 'lidhi duart', drejtori i ShSKUK-së kërkon ndihmën e Bordit

Pezullimi i Rregullores së Brendshme të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK) i ka shkaktuar probleme e vështirësi menaxhmentit të këtij institucioni në riorganizimin e brendshëm që synonte ta bënte.

Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi kërkoi ndihmën e Bordit të ShSKUK-së për të bërë një zgjidhje për organizimin e brendshëm, pasi që siç tha ai “janë në ring me duar të lidhura”.

“Jo vetëm që jemi u kthy në gjendjen paraprake, por jemi edhe më keq sepse jemi pezull. Ekziston mundësia që mua më kryhet mandati dhe ende mbesim në gjyq” – tha Azizi në mbledhjen e Bordit të mbajtur më 18.09.2024.

Ai iu drejtua bordit me kërkesën që të marrin ndihmë juridike nga brenda ose jashtë institucionit për të parë nëse duhet të ktehen në rregulloren e vjetër, ta krijojnë një të re apo të gjejnë një rrugëdalje të përkohshme.

“Qysh e dini ankesat që i ka bo zyra ligjore kanë dështu si në Gjykatë të Apelit, si në Supreme” – shtoi Azizi.

Me propozim të kryesuesit të Bordit, Dren Boshnjaku, ky organ vendosi që të kërkohet mendim prej zyrës ligjore të ShSKUK-së se si të veprohet më tutje.

Boshnjaku u pajtua se pezullimi i rregullores është hendikep për institucionin, sepse “misioni dhe vizioni i bordit ka qenë riorganizimi i brendshëm”.

Gjykata Supreme dhe Gjykata e Apelit kanë vendosur që vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë për pezullim të Rregullores për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës është i drejtë.

Krejt këto vendime janë rrjedhojë e padisë që mbi 130 punonjës të ShSKUK-së kanë bërë kundër kësaj rregulloreje, me pretendimin se ajo cenon të drejtat nga marrëdhënia e punës, duke mos ofruar garanci minimale për të punësuarit me afat të pacaktuar.

Kjo rregullore ishte aprovuar më 08.04.2024 nga Bordi me 7 vota për, asnjë abstenim e asnjë votë kundër.

“Kjo rregullore synon të ngrisë efikasitetin dhe produktivitetin e të punësuarve duke përcaktuar qartë përgjegjësitë për llogaridhënien që do të ndihmojnë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore të cilat ofrohen nga ShSKUK” – kishte thënë Kryesuesi i atëhershëm i Bordit, Naim Bardiqi në një konferencë për media.

Ky akt nënligjor ka derivuar nga Statuti i ShSKUK-së dhe Ligji për Shëndetësi dhe rregullonte edhe koeficientet e të punësuarve në administratë.

Rregullorja e re e brendshme e ShSKUK-së synon përmirësimin e menaxhimit përmes ndryshimit të strukturës