Petrit Halilaj hap ekspozitë në galerinë “kurimanzutto” në New York
Ekspozita “Abetare” e artistit kosovar më famë botërore, Petrit Halilaj, hapet sot, më 12.09.2024, në galerinë “kurimanzutto” në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në këtë ekspozitë, Halilaj do të ekspozojë banka shkollore të braktisura, të gërvishtura me vizatime të fëmijëve, që ai i gjeti nëpër shkollat e Kosovës dhe i solli në studion e tij në Berlin.
Përmës një komunikate, galeria “kurimanzutto” bën të ditur se pasi Halilaj i solli bankat e vjetra në Berlin, i rielaboroi dhe i montoi në objekte skulpturore, vizatimet e të cilave janë burim frymëzimi për serinë e tij të njohur me skulptura prej bronzi dhe çeliku me titull “Abetare”, që janë ekspozuar aktualisht në Muzeun Metropolitan të Artit (MET).
“Në galerinë “kurimanzutto” Halilaj rikrijon një klasë shkollore, ku skulpturat reflektojnë mbi gjuhën, rininë dhe komunitetin në kontekstin e historisë së Kosovës, si dhe fuqinë e fantazisë për ta tejkaluar një mësim të mërzitshëm shkolle ose kërcënimin e luftës”- thuhet në komunikatë.
Kjo ekspozitë, thuhet më në komunikatë, është vazhdimësi e serisë “Abetare” të Halilajt e cila merr format e saj të larmishme nga vizatimet dhe skicat e fëmijëve gdhendur në bankat e tyre, për t’i shndërruar këto ëndrra të përditshme dhe akte të vogla rebelimi në krijime hapësinore të gjera dhe tridimensionale.
Sipas njoftimit, “Klasa zhurmëtare” shënon një moment të ri në artikulimin artistik të Halilajt.
Në kuadër të kësaj ekspozite do të organizohen edhe një seri prej tre punëtorish, më 14 e 28 shtator dhe 19 tetor 2024, dhe mbahen nga kuratorja shqiptare Eriola Pira.