Petkoviq: Vuçiq do të takohet me serbët e Kosovës, do të merret vendimi për heqjen e barrikadave

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka mbajtur sot një konferencë ku ka folur për ngjarjet e fundit në veri të Kosovës.

Sipas mediumit Kossev, Petkoviq ka paralajmëruar një takim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe serbëve të Kosovës.

Siç thotë mediumi, në këtë takim do të merret vendimi për heqjen e barrikadave.

“Njëkohësisht, ai paralajmëroi takim mes presidentit serb dhe përfaqësuesve të serbëve nga veriu për sonte, tani për më pak se një orë, në të cilin do të merret vendimi për heqjen e barrikadave” – njofton Kossev.

Tutje Petkoviq citohet të ketë thënë se lirimi nga paraburgimi i ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, është një fitore e madhe e popullit serb.

“Është një fitore e madhe, mbi të gjitha e popullit serb në Kosovë, sepse tregon se Dejan Pantiq nuk është fajtor dhe se fakti që ai u akuzua për një lloj terrorizmi është shprehje e përballjes politike të Albin Kurtit me serbët në Kosovë dhe Pantiq” – citohet Petkoviq.

Madje, sipas Kossev, Petkoviq ka folur edhe për një listë të arrestimeve.

“Pjesa më e rëndësishme që dua t’ju lexoj është se nuk ka lista për arrestimin apo ndjekjen penale të qytetarëve serbë nga Kosova për pjesëmarrje në protesta paqësore dhe barrikada” – ka thënë Petkoviq.

Që nga 10 dhjetori janë vendosur barrikadat në veri si pakënaqësi ndaj arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq, i cili ishte arrestuar nën dyshimin e organizimi të sulmit ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor më 6 dhjetor 2022.

Rakiq: Vuçiq mendon se do të ishte mirë të hiqen barrikadat