Petar Petkoviq - Foto: REL/ Zyra për Kosovën

Petkoviq: Ngritja e tensioneve në veri, tendencë për t’i njollosur serbët

Drejtori i të ashtuquajturës, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i ka quajtur përpjekje për të rrezikuar paqen dhe stabilitetin sulmet ndaj Policisë së Kosovë në veri të vendit, duke e dënuar një veprim të tillë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot përsëri është sulmuar një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.

Sipas Policisë, sulmi është kryer me armë zjarri.

Petkoviq tha se ngritja e tensioneve në veri ka të bëjë me nevojën për nxitjen e serbëve atje.

“Dënojmë fuqishëm sulmin ndaj veturës së policisë si dhe çdo përpjekje të mëparshme për të rrezikuar paqen dhe stabilitetin. Ngritja e tensioneve në terren, sidomos në veri, nuk ka të bëjë me serbët! Por ka të bëjë me nevojën e shumë njerëzve për t’i njollosur serbët në veri. Pyesni veten – kush përfiton nga kjo ?!”, shkroi ai në Twitter.

Më herët edhe Lista Serbe ka dënuar sulmin ndaj e sotëm ndaj policisë së Kosovës në fshatin Zupçe të Zubin Potokut. Në reagimin e Listës Serbe thuhet se incidente të tilla kanë për qëllim për t`i paraqitur serbët si ngacmues.

Në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës është sulmuar për të disatën herë brenda pak ditëve në veri. Sulmi i parë ishte bërë më 13 prill, ndërsa brenda tri ditëve, 13 deri më 15 prill, nga Policia e Kosovës kanë thënë se janë bërë 4 sulme ndaj patrullave të Policisë së Kosovës. Sulmet janë raportuar se kanë qenë me gurë, armë zjarri, kallashnikov, granatë e mjete piroteknike.

Drejtori i policisë: Katër sulme brenda tri ditëve ndaj policisë në veri