Petar Petkoviq - Foto: REL/ Zyra për Kosovën

Petkoviq: Kosova nuk pranoi propozimet tona për targat dhe dokumentet

Në rundin e dialogut në Bruksel, Serbia ka prezantuar propozime për zgjidhjen e çështjes së targave dhe dokumenteve serbe para 1 shtatorit, por ato nuk janë pranuar nga Kosova.

Kështu deklaroi më 19 gusht, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, gjatë një konference për media të mbajtur në Beograd.

Sipas tij, propozimi i parë kishte të bënte me letërnjoftimet dhe se Serbia ishte e gatshme të pranonte atë që ishte rënë dakord në Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes nga viti 2011, edhe pse, siç tha Petkoviq, ajo marrëveshje, që ishte arritur nga ish-negociatorët Borko Stefanoviq dhe Edita Tahiri, “nuk ishte mirë”.

Ai shtoi se Serbia ishte e gatshme të lëshonte një dokument për hyrje-dalje për “qytetarët e Serbisë që banojnë në Serbinë qendrore, kur të shkojnë në Kosovë dhe Metohi, në vendkalimin administrativ të Prishtinës”, por se kjo nuk do të vlente për serbët nga Kosova.

“Serbët që jetojnë në Kosovë nuk janë serbë që, sipas pikës tre [të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes të vitit 2011], udhëtojnë transit në një vend të tretë. Destinacioni përfundimtar i serbëve që jetojnë në Kosovë nuk është Shqipëria e Greqia. Destinacioni i fundit është pragu i shtëpisë së tyre”.

Petkoviq tha Prishtina i hodhi poshtë të gjitha propozimet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë zhvilluar rundet e reja të bisedimeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Por, takimet e 18 gushtit në Bruksel, në kuadër të dialogut, nuk prodhuan asnjë marrëveshje.

Megjithatë, nga BE-ja thanë se palët do të vazhdojnë dialogun për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe, që rritën tensionet në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht.

Petkoviq tha se një adresim i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i paraparë të mbahej sot është shtyrë për të dielën.

Ai shtoi se Serbia është duke e bërë të pamundurën për të gjetur një zgjidhje kompromisi.

“Presidenti e shtyu fjalimin e tij sepse nuk mund të pajtohet me faktin se nuk kemi zgjidhje… Sepse nuk mund të pajtohet me faktin se ne kemi konflikte në Kosovë dhe Metohi dhe prandaj, gjithë ditës së djeshme, por edhe mëngjesin e sotëm, ai po punon për gjetjen e një zgjidhjeje. Presidenti Vuçiq të dielën do të flasë për gjithçka, për dialogun, për detajet, për propozimet, se si është sjellë [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti, si dhe çfarë duhet të bëjmë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, për të ruajtur jetën e popullit tonë në Kosovë”, tha Petkoviq.

Të dielën pritet edhe takimi i Vuçiqit me përfaqësuesit serbë nga Kosova.

Rundi i ri i dialogut u mbajt tri javë pasi serbët lokalë bllokuan rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë, në shenjë pakënaqësie me dy vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.

Barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit dhe Kosova shtyu zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.

Vendimi i parë ka të bëjë me lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në Kosovë. Serbia e aplikon këtë masë ndaj shtetasve të Kosovës qe 11 vjet.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia. Kosova i konsideron joligjore targat me akronime të qyteteve të Kosovës të tilla si UR, PZ, KM e të ngjashme.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, tha se takimet e 18 gushtit nuk ishin takime normale të dialogut, por “takime për menaxhimin e krizës”.

Ai tha se BE-ja dhe palët do të vazhdojnë të punojnë për të arritur një zgjidhje për çështjen e targave e dokumenteve, por edhe për përparimin drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithpërfshirëse për normalizimin e raporteve.

Por, Kosova dhe Serbia kanë dallim edhe sa i përket epilogut të dialogut. Përderisa, Prishtina insiston që marrëveshja finale të përfshijë edhe njohjen reciproke, Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi./REL