Peticion online për anulimin e Maturës Shtetërore 2020

Në një peticion të krijuar në formë elektronike para pesë ditësh, disa maturantë po kërkojnë anulimin e testit të maturës për vitin 2020.

Në këtë peticion, që është krijuar ditë më parë është thënë se matura shtetërore nuk mund të mbahet në gjendje pandemie, pasi sipas tyre, kërkon krijimin e kushteve të favorshme.

“Matura Shtetërore është një çështje e ndjeshme që kërkon krijim të kushteve të favorshme në përqendrimin e vëmendjes, krijim të atmosferës emocionale pozitive dhe arritjen e suksesit gjeneral. Duke marrë parasysh se ky test nuk ka dhënë rezultate në vitet paraprake dhe se nuk është vlerësim adekuat (real) i dijes se nxënësve, besojmë fuqishëm se ky test nuk duhet mbajtur”, thuhet në peticion.

Deri më tani, ky peticion është nënshkruar nga 7,159 persona dhe është kërkuar numri i 7,500 personave për një gjë të tillë.

Në anën tjetër, ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dje në KTV tha se anulimi i Testit të Maturës nuk është opsion i MASHTI-t, pasi konsideron se nuk është as në favor të nxënësve sidomos gjatë regjistrimit në fakultet.

Sipas saj, bashkë me Komisionin e Maturës kanë diskutuar që testi të mos përmbajë më shumë se 100 pyetje dhe të njëjta të jenë nga katër lëndë.

“Komisioni Shtetëror të Maturës ë ka mbajtur një mbledhje javën që shkoi dhe kemi data dhe kemi diskutuar për një formë të testit  në kushte pandemie, mendojmë që testi mos të jetë sikurse viteve të kaluara psh. Në vend që të përmbajë 200 pyetje, do të përmbajë 100 pyetje dhe nga katër lënde; Gjuhë Shqipe, Matematikë, Gjuhë Angleze dhe një nga lëndët zgjedhore. Dhe nuk do të ndahet në dy pjesë por do të mbahet brenda një ditë diku 150 minuta”, ka thënë ajo. 

Momentalisht shkollat në vend janë të mbyllura për shkak të pandemisë së COVID-19, ndërsa nxënësit po mbajnë mësimet në distancë.

Bajrami me të ardhur si ministre kishte ndryshuar përbërjen e Komisionit Shtetëror të Maturës.

Në këtë komision, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami ka emëruar 12 anëtarët e ri dhe ka shkarkuar anëtarët e kaluar që ishin emëruar nga ish-ministri, Shyqiri Bytyqi.

Ministrja e Arsimit ndryshon përbërjen e Komisionit Shtetëror të Maturës

.