Petar Petkoviqit i ndalohet hyrja në Kosovë

Drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, edhe një herë i është ndaluar hyrja në Kosovë.

Petkoviq kishte planifikuar një vizitë nga data 3-25 nëntor, mirëpo një kërkesë për vizitë është refuzuar nga Ministrja Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPDJ).

Në një përgjigje për KALLXO.com, MPJD ka treguar arsyen se ps është marrë një vendim i tillë për Petkoviq.

“Ky refuzim ka ndodhur për shkak se z. Petkoviq, duke shkelur marrëveshjet e lidhura, vizitat e tij të mëparshme në mënyrë të përsëritur i ka keqpërdorur për të nxitur përçarje në mes të komuniteteve dhe për të provokuar institucionet zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Poashtu nga MPJD kanë bërë të ditur se nëse Petkoviq përmbahet nga gjuha e urrejtjes, vendimi do të mund të rishqyrtohet.

“MPJD-ja është e gatshme të rishqyrtojë qëndrimet e saj dhe të aprovojë eventualisht vizitat në të ardhmen, nëse z. Petkoviq tregon gatishmëri që të përmbahet nga gjuha nxitëse dhe provokuese në raport me qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Edhe zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, përmes një njoftimi për media, ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që ta frenoj kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

“Kjo është hera e katërt që autoritetet në Prishtinë pengojnë vizitën e drejtorit të Zyrës për Kosovë e Metohi. Për këtë shtrohet pyetja nëse faktorët ndërkombëtar janë të gatshëm të frenojnë Albin Kurtin në fushatën e tij destruktive kundër gjitha arritjeve të Marrëveshjes së Brukselit dhe marrëveshjeve të arritura në Bruksel gjatë procesit të dialogut. Me çdo lëvizje që po bën, Albin Kurti na distancon nga dialogu”, thuhet në komunikatë.

Edhe në shtator të këtij viti, për po të njëjtat arsye, MPJD kishte refuzuar kërkesën e Petkoviq për të vizituar Kosovën.

Petar Petkoviqit i ndalohet hyrja në Kosovë