Peshkopi serb në Mal të Zi merret në pyetje për funeralin e paligjshëm

Peshkopi i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Metropoliti Amfilohije, është marrë në pyetje në zyrën e prokurorit të shtetit për shkeljen e masave parandaluese kundër coronavirusit, tha të mërkurën prokurori i shtetit Dusko Milanoviq, duke shtuar se zyra e tij do të vazhdojë të punojë për rastin, raporton Balkan Insight.

“Metropoliti Amfilohije mohoi të ketë shkelur ndalesën nga organi kombëtar i koordinimit për sëmundje infektive në tubime publike,” tha Milanoviq për gazetën e përditshme ‘Pobjeda’.

Prokurori tha se Metropolitani Amfilohije shkeli ndalesën e qeverisë për tubime publike kur drejtoi një shërbim funeral – ndërsa peshkopi këmbëngul se ai i respektoi masat shëndetësore të qeverisë.

Më 23 prill, peshkopi dhe një deputet i opozitës së Frontit Demokratik, Andrija Miloseviq, u thirrën të dy për seanca në zyrën e prokurorit të shtetit për pjesëmarrje në një varrim në kundërshtim me ndalimin e qeverisë për tubime publike.

Ata po merrnin pjesë në funeralin e historianit Vlado Joviçeviq, ndërsa Amfilohije drejtoi shërbimin. Media njoftoi se ambasadori serb, Vladimir Bozoviq, u soll gjithashtu para zyrës së prokurorit për  pjesëmarrje në të njëjtin funeral.

Të gjitha komunitetet fetare në vendin multi-religjioz ndaluan përkohësisht mbajtjen e shërbimeve në vendet e adhurimit më 13 mars.