Donjeta Pajazitaj - Foto: Facebook

Pesë vjet “çalim” i drejtësisë për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Sot janë bërë pesë vite prej vrasjes së 24 vjeçares Donjeta Pajazitaj, ndërsa rasti i vrasjes së saj ende gjendet në proces gjykimi.

Më 9 nëntor 2015, Pajazitaj ishte zhdukur për t’u gjetur e vdekur dhe e mbuluar me dru pas gjashtë javësh në bjeshkët e Strellcit të Deçanit.

Kushëriri i viktimës, i akuzuari Naser Pajazitaj, akuzohet se e kishte marrë viktimën me veturë përderisa ajo ishte duke shkuar në punë dhe e kishte dërguar te vendi “Kroi i Lajthisë”, ku më pas e kishte vrarë me dy plumba në kokë.

Përkundër akuzave për vrasje, rasti i Pajazitaj është në rigjykim dhe po endet nëpër gjykatat e Kosovës.

Pasi mori dy vendime të ndryshme në lidhje me rastin, Gjykata e Pejës nuk është vendi ku po gjykohet i akuzuari Naser Pajazitaj.

Gjykata e Apelit në fillim të këtij viti kishte vendosur që kjo çështje penale të gjykohet në Gjykatën Themelore të Ferizajit.

Gjykata e Pejës kishte bërë kërkesë për përjashtim nga gjykimi në këtë rast, pasi Gjykata Supreme e Kosovës kishte prishur vendimin e Gjykatës se Pejës, që kishte dënuar Naser Pajazitaj me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, duke kthyer kështu çështjen në rigjykim.

Në dhjetor të vitit 2019, Gjykata Supreme ka konstatuar se të dy aktgjykimet paraprake kanë qenë të përfshira me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Në aktvendimin e Gjykatës Supreme ishte kërkuar rigjykim, që të caktohet ekspert i telekomunikacionit i cili do te jep sqarime të plota dhe të hollësishme përkitazi me faktin se cilin territor e mbulon antena e Zllapekut dhe cilin territor e mbulon antena e Strellcit dhe po ashtu cila nga këto antena mbulon pjesën ku është gjetur tani viktima përkatësisht “Bjeshkët e Strellcit” me konkretisht “Kroni i Lajthisë.”

Kjo çështje ishte gjykuar fillimisht nga kryetari i trupit gjykues Sylë Lokaj, ku Pajazitaj ishte liruar nga akuza. Me rastin e rikthimit në rigjykim trupi gjykues me kryetar Kreshnik Radoniqi kishte shpallur fajtor Naser Pajazitaj duke e dënuar me burgim të përjetshëm.

Me gjykimin e parë nga trupi gjykues me kryetar Sylë Lokaj, Pajazitaj ishte liruar nga akuza. Ai po akuzohej për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Me atë aktgjykim i akuzuari Naser Pajazitaj u shpall i pafajshëm për vrasje në mungesë të provave,  ndërsa u dënua  me dy vite e katër muaj burgim për armëmbajtje pa leje.

Atëkohë, Gjykata gjatë leximit të aktgjykimit, kishte theksuar se Prokuroria nuk kishte arritur të dëshmonte se i akuzuari e kishte marrë në veturën e tij Donjetën dhe kishte vlerësuar se është dëshmuar që në kohën kur pretendohej se është kryer vepra Naseri kishte qenë në një fshat tjetër, në një të pame.

Po ashtu, Gjykata kishte vlerësuar se në pamjet e kamerave të siguruara Naser Pajazitaj kishte qenë i vetëm në veturë dhe se fija e flokut e cila ishte gjetur në veturën e tij nga analiza e FBI-së kishte rezultuar se nuk i takonte Donjeta Pajazitajt.

E pakënaqur me vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, prokurorja Valbona Haxhosaj kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit me pretendimet se nuk ishte vlerësuar drejt gjendja faktike.

Me 10 shtator 2018, ankesat e palëve u shqyrtuan nga kolegji i Apelit. Pas mbajtjes se seancës dëgjimore Gjykata e Apelit vendosi që çështjen ta kthente në rivendosje.

Kolegji shqyrtues, i kryesuar nga gjykatësi Xhevdet Abazi gjeti se me aktgjykimin me të cilin Naser Pajazitaj ishte liruar nga akuza, ishte vërtetuar gabimisht e vërteta.

Apeli kishte vlerësuar se pretendimet e Prokurorisë se provat e propozuara nuk janë vlerësuar në mënyre të drejtë ishin të bazuara.

Sipas Apelit, Gjykata e Pejës nuk kishte arritur që ta vërtetojë në mënyrë të drejtë gjendjen faktike sepse gjeti se ka kundërthënie në deklaratat e dëshmitares Arjeta Ukaj, vajzës së të akuzuarit e cila pas presionit familjar i ka ndryshuar deklaratat.

Apeli me vendimin e dhënë kishte propozuar që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet dëshmitari që ishte paraqitur anonim. Bazuar në këto konstatime Gjykata e Apelit çështjen e kishte kthyer në rigjykim.

Rigjykimi i Naser Pajazitaj filloi më 17 dhjetor 2018.

Gjatë rigjykimit i cili filloi me 17 dhjetor 2018, u mbajtën disa seanca gjyqësore me datën 25 mars 2019, ku Gjykata e kishte shpallur të përfunduar gjykimin.

Trupi gjykues në përbërje të gjyqtareve Kreshnik Radoniqi, Sali Berisha dhe Lumturije Muhaxheri vendosën që Naser Pajazitaj ta dënojnë me burgim të përjetshëm.

Sipas këtij trupi gjykues, Naser Pajazitaj u dënua me burgim të përjetshëm pas nxjerrjes së provave të reja që kanë munguar më parë.

“Këto prova të reja në lidhshmëri me prova të tjera e dëshmojnë se i pandehuri e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet”, kishte thënë Kreshnik Radoniqi, kryetari i trupit gjykues.

Si provë e re u konsiderua dëgjimi i dëshmitarit Qerim Jusaj, i cili në ditën kritike ishte i mitur.

Dëgjimi i tij ishte udhëzuar nga Gjykata e Apelit. Po ashtu, në ketë gjykim u shfaqën video-incizimet e ditës kur Donjeta Pajazitaj ishte zhdukur.

Në këto video u shfaqën pamjet në të cilat Naser Pajazitaj po lëvizte me veturë kah shtëpia e Jusajve në kohën dhe në afërsi të vendit në të cilën Prokuroria pretendon se ishte marrë Donjeta.

Vitin e kaluar vëllai i Donjeta Pajazitaj, Shkëlqimi, kishte thënë se për shkak të rregullave kanunore të pleqërisë së fshatit po detyrohen të largohen nga shtëpia e tyre.

Aktakuza përshkruan se pas këtij akti makabër, Naser Pajazitaj e kishte mbuluar trupin e viktimës me dru.

E kaluara kriminale: Naser Pajazitaj është i njohur për organet e drejtësisë.

Ai ishte dënuar me 20 vite burgim gjatë vitit 1993 nën akuzat për vrasjen nga hakmarrja.

Vendimi i tillë ishte konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme.