Pesë të dërguar ndërkombëtarë sot në Kosovë

Pesë emisarë ndërkombëtarë nga SHBA-të dhe BE-ja do të qëndrojnë sot për vizitë në Kosovë.

Ata pritet të takohen nga ora 10:00 sot, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kurti pret sot në takim përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne, këshilltarin diplomatik të Kryeministrit të Italisë, Francesco Maria Talò dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Takimi do të mbahet në Qeverinë e Kosovës.

Vizita i pason kërkesave dhe zhvillimeve për dinamizim të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, drejt një marrëveshjeje finale mes të dyja vendeve.