Ilustrim

Pesë të arrestuar në 24 orët e fundit për gjuajte me armë në ahengje familjare

Pesë persona janë arrestuar në 24 orët e fundit në Kosovë nën dyshimin se kanë shtënë me armë zjarri në ahengje familjare.

Të arrestuarit janë nga katër raste të ndryshme, përderisa në vend kanë ndodhur pesë raste të njëjta, mirëpo sipas Policisë së Kosovës për rastin e pestë ende nuk ka ndonjë arrestuar.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë, rasti i parë është raportuar të ketë ndodhur në rrugën Qëndresa në Podujevë.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur pak para mesnatës së ditës së djeshme, më 30 korrik 2022, ora 23:40.

“Pas disa të shtënave me armë zjarri në një aheng familjar nga i dyshuari, është sekuestruar një pistoletë me gas, ndërsa në vendin e ngjarjes janë sekuestruar tri gëzhoja”, ka thënë Policia duke shtuar se i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti i dytë raportohet të ketë ndodhur në fshatin Gllobar të Drenasit dje rreth orës 17:05.

Policia ka njoftuar se njësiti policor nga i dyshuari ka sekuestruar një pistoletë me gas si dhe një karikatorë dhe gjashtë gëzhoja, pasi që ai gjatë një ahengu familjar ka shtënë me armë.

“I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, ka thënë Policia.

Gjithmonë duke iu referuar njoftimit të Policisë, rasti i tretë është thënë se ka ndodhur në fshatin Terstenik të Drenasit.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur dje rreth orës 20:00.

Policia ka thënë se nga dy të dyshuar janë sekuestruar dy armë zjarri, një armë M-57 dhe një Pistolete.

Dy të dyshuarit, sipas njoftimit, dyshohet se kanë shtënë me armët e lartcekura gjatë një ahengu.

“Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja të kalibrit 7.65 mm dhe 7 gëzhoja të kalibrit 9 mm”, njoftoi Policia duke shtuar se me vendim te prokurorit rasti shkon ne procdurë të rregullt.

Rasti i katërt është raportuar të ketë ndodhur në rrugën Qazim Ademi në Vushtrri, dje rreth orës 13:07.

Sipas Policisë, një burrë është arrestuar për shkak të dyshimit se ka shtënë me armë të gjatë në ahengu familjar.

‘Nga i dyshuari është sekuestruar një revole me gas dhe tre fishekë. Në konsultim me prokurorin i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, njoftoi tutje Policia.

Rasti i pestë dhe i fundit që është raportuar se ka ndodhur në ahengje familjare është thënë se ka ndodhur në rrugën Dëshmorët e Lirisë në Gjakovë, dje rreth orës 13:40.

Sipas Policisë, një burrë është ankuar duke thënë se gjatë ahengut, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri.

Për rastin Policia ka thënë se njësia e hetuesisë ka siguruar incizime ku shihet i dyshuari duke shtënë me armë.

Tutje është thënë se rasti është nën hetime.