Pesë raste të dhunës në familje të raportuara për 24 orë në Kosovë

Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar dje në Policinë e Kosovës. Nga dy raste janë regjistruar në rajonet e Prishtinës dhe të Pejës, ndërsa një rast në Ferizaj.

Një grua ka kërkuar urdhër mbrojtës ndaj një burri, i cili është arrestuar dhe dërguar në mbajte pasi që ka sulmuar fizikisht atë. Viktima ka pranuar edhe tretman mjekësor. Rasti ka ndodhur në Prishtinë.

Në të njëjtin rajon, Policia njofton se është arrestuar edhe një grua e cila dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje ka sulmuar fizikisht një grua tjetër.

Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe në dhomës e të dyshuarës dhe ka sekuestruar një sasi të dyshuar substancë narkotike të llojit marihuanë. Me vendim të prokurorit, ajo është dërguar në mbajtje.

Në Ferizaj, rreth orës 22 një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje. Edhe ai është dërguar në mbajtje.

“Janë arrestuar dy të dyshuar mashkull dhe femër kosovarë pasi dyshohet se kanë kanosur viktimën mashkull. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje” – njofton Policia për rastin e ndodhur në Pejë.

Në një rast tjetër në Pejë, një burrë është arrestuar dhe më pas është dërguar në mbajtje, pasi që dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një burri tjetër.