
Pesë raste të dhunës në familje të raportuara në Polici, katër persona të arrestuar
Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit, teksa katër persona janë arrestuar – njoftoi Policia e Kosovës.
Rastet e dhunës janë raportuar në Prishtinë, Ferizaj, Pejë, Gjakovë dhe Mitrovicë.
Në Gjakovë një person dyshohet se kanosi një grua. I njëjti është arrestuar dhe me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje.
Edhe në Mitrovicë një person është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, pasi dyshohet se kanosi një grua.
Ndërkohë në Pejë viktimë e dhunës dyshohet se ishte një burrë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshjeje kishte sulmuar viktimën mashkull kosovar. Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.” – thuhet në Raportin e Policisë.
Për një rast në Prishtinë nuk pati të arrestuar, por sipas Policisë rasti është në procedurë hetimore.
“Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar e ka fyer dhe i ka shkaktuar dhunë psikike ankueses femër kosovare. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori. Rasti në procedurë hetimore.” – bëri të ditur Policia.
Kurse për rastin në Ferizaj, përveç njoftimit për arrestim, Policia nuk dha detaje.