Ilustrim Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com
Pesë raste të dhunës në familje të raportuara në 24 orët e fundit
Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Policinë e Kosovës.
Dy nga këto raste kanë ndodhur në Pejë, një në Klinë, një në Istog dhe një në Prishtinë.
Policia e Kosovës ka thënë se rasti i parë ka ndodhur në Klinë më 14.11.2024 në 08:00h, me ç’rast është arrestuar i dyshuari pasi që kishte kanosur viktimën – djalin e tij.
Policia njofton se është bastisur shtëpia e të dyshuarit, por aty nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. I arrestuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar ne procedurë të rregullt.
Në Pejë ka ndodhur rasti i dytë, po ashtu më 14.11.2024 në 12:10h. Viktima ka raportuar se babai kishte tentuar ta godas.
Policia thotë se me urdhër të prokurorit, pas intervistimit personi i dyshuar është dërguar në mbajtje.
Rasti i tretë i dhunës në familje ka ndodhur në Prishtinë.
Sipas Policisë, ankuesi ka raportuar se ish e dashura kishte shkuar në shtëpinë e tij dhe pas një mosmarrëveshjeje e ka sulmuar fizikisht.
Policia njofton se me vendim të prokurorit rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.
Rasti i katërt ka ndodhur në Pejë më 14.11.2024 në 15:00h, ku është arrestuar i dyshuari, pasi që pas një mosmarrëveshjeje kishte tentuar të sulmojë me një mjet të mprehtë të birin e tij.
Policia bën të ditur se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Rasti i fundit i raportuar ka qenë në Istog më 14.11.2024 në 18:50h. Policia ka arrestuar një të dyshuar, pasi që kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.
Viktima, sipas Policisë ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.