Pesë raste të dhunës në familje të raportuara gjatë 24 orëve
Policia e Kosovës (PK) njofton se pesë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve.
Në Fushë Kosovë është arrestuar një person pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht gruan e tij duke ju shkaktuar lëndime trupore.
Sipas Policisë palët janë intervistuar dhe rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt.
Në Prishtinë një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një person me të cilin ka qenë në lidhje bashkëjetese dhe kanë tre fëmijë.
“I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, njofton Policia.
Rast pothuajse i njëjtë ka ndodhur edhe në Drenas, ku burri ka sulmuar fizikisht gruan e tij.
Sipas Policisë, viktima ka pranuar trajtim mjekësor ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
“I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftim.
Në Gjakovë është arrestuar një person edhe pse fillimisht ishte trajtuar si viktimë e rastit.
Mirëpo pas intervistimit dhe në konsultim me prokurorin, siç njofton Policia, është ricilësuar nga viktimë në të dyshuar.
Policia njofton se i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërsa në Skenderaj një grua ka kërkuar ndihmë mjekësorë pasi është sulmuar nga burri i saj.
Policia njofton se i dyshuari gjendet në arrati dhe rasti është duke u hetuar.