
Ilustrim: Një viktimë e dhunës, Foto: Pixaby
Pesë raste të dhunës në familje, një grua kërkon urdhër mbrojtës
Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit, teksa katër persona janë arrestuar – njoftoi Policia.
Rastet e dhunës janë regjistruar në Prishtinë, Deçan, Gjakovë dhe dy raste në Malishevë.
Në Kryeqytet dyshohet se një grua u sulmua fizikisht nga burri i saj, i cili më pas u dërgua në mbajtje.
“Ankuesja ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, i dyshuari. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, është dërguar në mbajtje.” – njoftoi Policia.
Po ashtu, në Deçan një grua dyshohet se u sulmua fizikisht nga bashkëshorti i saj, teksa e pati të nevojshëm trajtimin mjekësor.
“Është arrestuar i dyshuari pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshjeje kishte shkaktuar dhunë fizike ndaj bashkëshortes. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.” – thuhet në Raportin 24-orësh.
Kurse, në Gjakovë sipas Policisë një person i dehur dyshohet se ishte fjalosur fillimisht përmes telefonit me bashkëshorten e tij, e më pas dyshohet se e ka sulmuar fizikisht. Viktima ka kërkuar urdhër për mbrojtje, kurse i dyshuari është arrestuar.
“Është arrestuar i dyshuari, i cili në gjendje të dehur përmes telefonit ishte fjalosur fillimisht me bashkëshorten e tij, viktimën femër kosovare, lidhur me kujdesin ndaj djalit të tyre dhe më pas kishte shkuar në shtëpi dhe e kishte sulmuar fizikisht viktimën. Si pasojë e dhunës viktima dhe i dyshuari kanë pranuar tretman mjekësor. Viktima ka kërkuar urdhër për mbrojtje, ndërsa i dyshuari me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje.” – sqaroi Policia.
Arrestim pati edhe në Malishevë, pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje një person e sulmoi gruan e tij.
“Është arrestuar i dyshuari, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshjeje kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje.” – bëri të ditur Policia e Kosovës.
Për një rast të dyshuar dhune në familje në Malishevë u arrestua edhe një person tjetër.