Pesë raste të dhunës në familje, në Prishtinë njërit të dyshuar i gjenden edhe armë në shtëpi

Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në Policinë e Kosovës. Dy raste janë raportuar në Prishtinë, tjerat në Fushë Kosovë, Mitrovicë dhe në Prizren.

Në Prishtinë, siç njofton Policia një burrë është arrestuar pasi i njëjti ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Policia bën të ditur se nga i dyshuari ka konfiskuar edhe një armë AK 47, një pistoletë dhe municione.

“Është arrestuar i dyshuari, pasi që ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij  kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri AK-47, një pistoletë dhe 27 fishekë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar Policia.

Një rast tjetër është raportuar po ashtu në Prishtinë, ku një grua ka raportuar bashkëshortin e saj në Polici, pasi sipas saj i dyshuari i cili gjendet në Gjermani ka ushtruar dhunë psiqike ndaj saj.

“Ankuesja kosovare ka raportuar se vazhdimisht ka pasur dhunë psikike nga bashkëshorti i saj i cili gjendet në Gjermani. Me urdhër të prokurorit kujdestar është iniciuar rasti dhe ndaj te dyshuarit”.

Në Fushë Kosovë një grua ka pranuar tretman mjekësor pasi e njëjta është sulmuar nga bashkëshorti i saj. Policia ka bërë të ditur se i dyshuari ndodhet në arrati.

“Lëndime trupore ka pësuar viktima pasi e njëjta është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Viktima pas pranimit të tretmanit mjekësorë është dërguar në strehimore. I dyshuari gjendet në arrati”, ka njoftuar Policia.

Në Prizren një burrë sipas Policisë ka ushtruar dhunë fizike dhe psiqike ndaj bashkëshortes së tij. Policia ka njoftuar se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Ankuesja ka informuar se bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj si dhe i kishte dëmtuar veturën. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

Ndërsa në Mitrovicë Policia ka njoftuar se një grua e ka raportuar për shqetësim ish-bashkëshortin e saj.

“Ankuesja ka raportuar se i dyshuari (ish bashkëshorti i saj), për motive të panjohura e ka shqetësuar. Lidhur me rastin është informuar e konsultuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.