Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

Pesë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Pesë raste të dhunës në familje kanë ndodhur në 24 orët e fundit në Kosovë.

Sipas raportit policor, rastet kanë ndodhur në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës dhe Gjakovës.

Një burrë ka sulmuar fizikisht një grua në Podujevë dje kurse sipas raportit 24 orësh, rasti është paraqitur në polici nga viktima.

Rasti i cili ka ndodhur dje rreth orës 23:00, po trajtohet si rast i dhunës në familje.

Viktima ka pranuar trajtim mjekësor kurse palët pas intervistimit janë liruar. Me vendim të prokurorit ky rast do të trajtohet më tej me procedurë të rregullt.

Edhe në rastin e dhunës në familje që ka ndodhur në Obiliq, një burrë është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht një grua.

Rasti po trajtohet si rast i dhunës në familje. Akti i dhunës është kryer rreth orës 22:24 sipas raportit të policisë.

Viktima ka pranuar trajtim mjekësor kurse i dyshuari, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Policia nuk ka njoftuar në raportin 24 orësh për lidhjet familjare ose jo të personave të përfshirë në këtë rast.

Në Gjakovë, një burrë ka sulmuar një burrë tjetër. Viktimës i është ofruar trajtim mjekësor kurse në konsultim me prokurorin i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Edhe në rastin tjetër të ndodhur në Gjakovë, është arrestuar një i dyshuar pasi që i njëjti nën ndikimin te alkoolit ka shkaktuar dhunë psikike ndaj një burri tjetër. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në ndalim policor.

Në Klinë, një grua është rrahur nga një grua tjetër. Pas plagëve të marra nga sulmi, njëra grua është dërguar për trajtim në QKUK. Me vendim të prokurorit, e dyshuara është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa rasti vazhdon në procedurë hetimore.

Në rastin që ka ndodhur në Mitrovicën të Veriut është arrestuar një burrë pasi që i njëjti dyshohet se në vazhdimësi ka shkaktuar dhunë psikike dhe fizike ndaj një burri dhe një gruaje tjetër, e përveç kësaj i njëjti ka shkaktuar zjarr.

Në vendngjarje zjarrfikësit kanë bërë shuarjen e zjarrit, ndërsa gjatë kontrollit në trup, të dyshuarit i është gjetur dhe sekuestruar një sasi substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë në peshë 0.35 gram.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar në ndalim policor.