Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

Pesë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Pesë raste të dhunës në familje janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit në Policinë e Kosovës.

Një burrë në Prishtinë është arrestuar dje nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës grua më datë 8 shtator, të cilës i ka shkaktuar lëndime.

Sipas Policisë viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe në konsultim me zyrtarin e QPS-së dhe prokurorin, është dërguar në strehimore.

I dyshuari me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Në Shtime një burrë është arrestuar nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje është përleshur fizikisht me viktimën burrë. Sipas Policisë, rasti ka ndodhur dje ndërsa me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Edhe në Ferizaj një burrë është arrestuar për dhunë në familje. Sipas Policisë i dyshuari është arrestuar pasi pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht një burrë.

Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje. Në Vushtrri, Policia ka arrestuar një burrë dhe një grua nën dyshimin se kanë sulmuar dhe fyer një grua.

Ngjarja ka ndodhur dje në 12:10 dhe sipas Policisë, lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit. Rasti vazhdon të hetohet.

Në Mitrovicë të Veriut një grua ka raportuar në Polici se një burrë e ka kërcënuar dhe ofenduar.

Rasti ka ndodhur dje rreth orës 16:40. “Lidhur me rastin është kontaktuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që i dyshuari të sillet në stacionin policor për intervistim për procedurat e mëtejme. Rasti në hetime”, thuhet në njoftim.