Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

Pesë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve

Sipas raportit të Policisë së Kosovës brenda 24 orëve kanë ndodhur pesë raste të dhunës në familje.

Njëri prej tyre ka ndodhur në Deçan rreth orës 12:40 ku është arrestuar një burrë nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij e cila më pas ka marrë tretman mjekësor.

Ndërkaq, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Një tjetër rast ku një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj ka ndodhur dje në Skenderaj.

Sipas policisë, në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me rekomandim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është liruar dhe rasti procedohet në procedurë të rregullt, gjersa viktima së bashku me fëmijën e saj janë vendosur në strehimore.

Një tjetër rast ka ndodhur në Istog. Një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Me këtë rast viktima ka marrë tretman mjekësor gjersa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Po ashtu, në Prishtinë dje një grua ka raportuar se vajza dhe dhëndri i saj janë duke ushtruar dhunë fizike dhe psiqike ndaj saj.

“Viktimës i është ofruar ndihma mjekësore. Në lidhje me rastin janë arrestuar dy të dyshuar një mashkull dhe një grua kosovare (dhëndri dhe vajza e viktimës). Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, është bërë e ditur në raportin e policisë.

Ndërkaq, sipas Policisë një tjetër rast ka ndodhur në Mitrovicën e Veriut ku një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj, i dyshuari i ka bërtitur fëmijë së tyre.

Policia ka bërë të ditur se në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që i dyshuar pas intervistimit të lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt.