Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

Pesë raste të dhunës në familje brenda 24-orëve

Policia e Kosovës ka njoftuar se pesë raste të dhunës në familje janë regjistruar në 24 orët e fundit.

Sipas raportit, në Prishtinë, një grua ka njoftuar se gjersa ishte tek hyrja e QKUK-së është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt.

Ndërsa në Fushë Kosovë, janë arrestuar një burrë dhe grua, shtetasë shqiptar – bashkëshort, pas një mosmarrëveshje kanë ofenduar dhe sulmuar fizikisht njëri tjetri.

“Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt” – ka njoftuar Policia.

Në Podujevë më 25.08.2024 rreth orës 11:30 është arrestuar një i dyshuar pasi që, i njëjti kishte sulmuar fizikisht nënën e tij dhe vëllain e tij. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Rasti tjetër ka ndodhur në Ferizaj më 25.08.2024 rreth orës 16:15.

Një grua ka njoftuar se ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Njësitet e hetuesisë nga i dyshuari kanë konfiskuar një revole të llojit TT me 6 fishek të kalibrit 7.62mm. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Dhe rasti tjetër është regjistruar në Pejë më 25.08.2024 ku një i dyshuar kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe djalit të tij.

“Viktimave i është ofruar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje” – thuhet në raport.