
Kandidatët e LDK-së për zgjedhjet 2025. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Pesë projektet e LDK-së për Prishtinën
Fokus i veçantë në programin zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës i është dhënë projekteve të planifikuara për rajonin e Prishtinës.
Kandidatët për deputetë nga kjo parti të ftuar në emisionin “DebatPërnime” kanë shpalosur në detaje këto projekte.
Alban Zogaj tha se 1.5 miliardë investime kapitale janë paraparë për mandatin e parë për rajonin e Prishtinës.
“Prej 5 miliardë euro investime kapitale në mandatin tonë të parë, 1.5 miliardë janë të orientuara për kryeqytetin tonë dhe qyteteve rreth kryeqytetit”- tha ai.
Zogaj ka listuar edhe disa nga projektet më kryesore, që sipas tij, janë me prioritet që të kryhen në katërvjeçarin e parë të “qeverisjes së LDK-së”.
“Një prej projekteve të mëdha të kryeqytetit është Unaza e Jashtme e Prishtinës. Ky është një projekt i madh kapital me 350 milionë euro investime, të zotuara për kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e që aktualisht nuk po nënshkruhet nga Qeveria aktuale” – ka thënë Zogaj.
Një projekt tjetër që u premtua nga Zogaj është Spitali i Kosovës, që sipas tij, do të zhvendoset nga lokacioni aktual ku është Qendra Klinike Universitare e Kosovës, e do të ndërtohet në periferi të Prishtinës.
LDK për realizimin e këtij projekti ka paraparë 500 milionë euro.
Projekt tjetër për Prishtinën, sipas tij, është edhe “Qendra Kombëtare e Sportit” për të cilën janë paraparë 200 milionë euro investime.
Brenda kësaj Qendre është paraparë të jetë edhe Stadiumi Kombëtar, ndërtimi i të cilit kap vlerën 50 milionë euro, sipas kandidatit Zogaj.
Projekti i radhës për Prishtinën nga LDK, parashihet të jetë projekti i solareve për ngrohjen e ujit, i cili do të mundësonte zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në Prishtinë, e që llogaritet të ketë një kosto prej 100 milionë euro.
Deri sa kandidati Zogaj foli për projektet që do realizohen në Prishtinë, përmendi edhe ‘dështimet’ e Qeverisë aktuale në përfundimin e projekteve kapitale.
“Rruga Prishtinë- Podujevë me u përfundu më urgjencë; rruga Prishtinë- Mitrovicë me u përfundu me urgjencë; me u ndërtu rruga Prishtinë- Pejë e cila sot është në gjendje shumë të keqe; me u përfundu rruga Prishtinë- Gjilan; dhe kështu qytetet kryesore të Kosovës më e pas qasjen në Prishtinë”, tha Zogaj.
Kandidati tjetër për deputet, Krenar Xhaferi, foli për sfidat që i ka sjell qeverisja aktuale në realizmin e projekteve kapitale Komunës së Prishtinës.
Ai ka premtuar se me ardhjen e LDK-së, Prishtina pas katër vjetësh do të bëhet me unazën e jashtme të qytetit.
“DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para zgjedhjeve parlamentare të 09.02.2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometri”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë.
Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime”, prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim me partia në pushtet, partitë tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetareve të Kallxo-it.
“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin”, ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të debatit të parë zgjedhor në kuadër të “Debat Përnime”.
Për më shumë lexoni në linkun:
LDK premton në “Debat Përnime” reforma në drejtësi dhe investime kapitale miliardëshe