ILUSTRIM - Dy doktorë/ infermierë të pajisur me veshjet speciale për t'iu shmangur infektimit me COVID-19, Foto:KALLXO.com

Pesë pacientë në gjendje kritike nga COVID-19 po trajtohen në Klinikën Infektive

Në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 96 pacientë pozitivë me COVID-19, pesë prej të cilëve janë në gjendje kritike,

Sipas Drejtoreshës së Klinikës, Lindita Berisha-Ajazaj, shqetësuese është ardhja e formave të rënda të sëmundjes së COVID-19 ditëve të fundit.

“Në raportin e mëngjesit sot i kemi pasur 96 pacientë të hospitalizuar me COVID-19, prej tyre 60 për qind janë me oksigjenoterapi, ndërsa në mjekimin intensiv janë në gjendje kritike. Ajo cfarë mund të them është se për ne si profesionistë shëndetësor, kohëve të fundit ardhja e formave të rënda të sëmundjes te pacientët që janë COVID pozitiv qoftë ata që konfirmohen në terren, qoftë ata që qëndrojnë në shtëpi. Infektologët janë në numër të vogël në të gjithë Kosovën po ashtu edhe në Klinikën Infektive dhe ardhja e kolegëve do të jetë një ndihmë e madhe për neve”, ka thënë drejtoresha e Klinikës Infektiv, Lindita Berisha-Ajazaj.

Në anën tjetër, pesëdhjetë mjekë e 62 infermierë nga sot t’u bashkohen kolegëve të tyre të cilët po trajtojnë pacientët me COVID-19.

Kështu është bërë e ditur në një konferencë për media nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

“Pranë neve janë 50 profesionistë shëndetësor të cilët nga sot do të bashkohen për kujdesin ndaj pacientëve me COVID—19, 8 laborant kanë filluar në IKSHPK, 4 mikrobiolog, 20 inspektorë sanitarë dje vetëm kanë startuar do t’I rishikojmë të gjitha mudnësitë potenciale dhe buxhetore që të angazhojmë edhe personel shtesë. E kemi prioritet që qytetarët që të mos kenë probleme sa u përket resurseve humane. Në proces e sipër është edhe angazhimi i 100 infermierëve për QKUK-në, ka thënë ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj.

Gjithashtu, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm në QKUK, Valbon Krasniqi në një konferencë për media ka bërë të ditur Shërbimi Spitalor tashmë ka liruar edhe një Klinikë për t’I trajtuar pacientët me COVID-19.

“Ne dje kemi marrë vendim që Klinika e Neurologjisë të destinohet për trajtim të pacientëve me COVID-19 me një kapacitet prej 60 shtretërve”, ka thënë Krasniqi.

Ndryshe, Spitali i Vushtrrisë që nga nesër do të trajtojë vetëm pacientët me COVID-19, ndërsa pacientët që kanë nevojë për hospitalizim por që nuk kanë COVID-19 do të trajtohen në Spitalin e Mitrovicës.

“Sot në komitet e kemi marrë edhe një vendim të rëndësishëm. Spitali i Vushtrrisë shumë shpejt do të shndërrohet në Spital COVID-19. Qytetarët e Mitrovicës dhe Vushtrrisë me COVID-19 do të marrin trajtim në Spitalin e Vushtrrisë. Do të ristrukturohet edhe stafi shëndetësor. Të gjithë pacientët pa COVID që kanë nevojë për hospitalizim do të trajtohen në spitalin e Mitrovicës”, tha Krasniqi.