Pesë pacientë me COVID-19 në gjendje të rëndë, 20 të tjerë në oksigjeno-terapi

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar se në klinikat dhe spitalet rajonale në vend janë duke u trajtuar 55 pacientë të infektuar me COVID-19, pesë prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore përderisa 20 të tjerë janë nën asistim me oksigjeno-terapi.

Në klinikën për sëmundje ngjitëse apo në Klinikën Infektive aktualisht janë duke u trajtuar nëntë pacientë të infektuar me SARS-CoV-2, në këtë klinikë në pjesën e Mjekimit Intensiv është një pacient.

Në anën tjetër në klinikën e Pulomologjisë janë duke u trajtuar 21 pacientë.

Sa i përketë trajtimeve mjekësore në pesë spitalet rajonale në vend janë duke u trajtuar 24 pacientë me coronavirus.

Spitali i Gjakovës aktualisht ka nëntë pacientë me COVID-19, shtatë pacientë po trajtohen në spitalin e Mitrovicës, nga tre pacientë janë në spitalin e Ferizajt dhe të Pejës si dhe dy pacientë janë duke u trajtuar në spitalin e Gjilanit.

Aktualisht në nivel vendi janë 427 raste aktive me SARS-CoV-2.

Ministria e Shëndetësisë dje ka njoftuar se brenda 24 orëve në Kosovë 20 qytetarë kanë rezultuar pozitivë me coronavirus nga 2 mijë e 72 testime të bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Nga 13 marsi i vitit të kaluar kur është shënuar rasti i parë I infektimit në vend e deri më tani 160 mijë e 658 qytetarë janë prekur nga virusi corona prej tyre 2 mijë e 975 kanë vdekur si dhe 157 mijë e 256 janë shëruar.