Pesë kosovarë arrestohen në Shqipëri, u kapën me 400 kg barna të dyshuara të kontrabanduara dhe 300 mijë euro

Pesë qytetarë nga Kosova janë arrestuar në Aeroportin e Tiranës, pasi u kapën me më shumë se 400 kilogram barna që dyshohen se janë të kontrabanduara e 300 mijë euro të padeklaruara.

Policia e Shqipërisë ka thënë se barnat në fjalë dyshohet se do të përdoreshin si preparate për përgatitjen e lëndëve narkotike.

Po ashtu, në njoftimin e Policisë shqiptare është thënë se zyrtarët arritën të sekuestrojnë gjithsej 1 milion e 57 mijë e 840 barna me peshë totale 417.1 kilogram.

Barnat në fjalë, që sipas Policisë dyshohet se janë të blera në Jordani, u gjetën në 14 valixhe – bagazhet e të arrestuarve.

Operacioni policor – i koduar “Transit” – u realizua nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Departamentin Operativo-Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas.

Ky operacion ishte nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Policia e Shtetit tha se përpos barnave e eurove u sekuestruan edhe gjashtë celular.

Tutje u tha se gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë shtetasit kosovarë B. Z. – 45-vjeçar, F. Z. – 34-vjeçar, A. I. – 23-vjeçar , A. G. – 20-vjeçar, A. M. – 21-vjeçar.