Arkiv: Ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Jugut

Pesë dreka "zyrtare" i kushtuan rreth 2 mijë euro Komunës së Mitrovicës

Sallatë me avokado, pene boloneze, ramstek e biftek, janë disa nga ushqimet që zyrtarët e Komunës së Mitrovicës i kanë paguar me paratë e buxhetit komunal.

1,991 euro ka shpenzuar në total kjo komunë për dreka zyrtare nga fillimi i vitit 2022.

Me këto para janë paguar pesë dreka zyrtare për takime të ndryshme.

499 euro ishin shpenzuar gjatë drekës më një delegacion të huaj në të cilin Komuna thotë së kanë qenë të përfshira disa shtete që kanë pasur për qëllim hapjen e mundësive për investime në Mitrovicë.

KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente zytare ka siguruar faturën nga kjo drekë.

Për një shishe ujë 0.75 l ishin paguar 2 euro e 50 centë. Gjatë drekës ishin porositur 13 shishe të tilla ujë.

850 euro ishin harxhuar nga 85 zyrtare të Komunës së Mitrovicës për nder të festës së 8 Marsit. Ky organizim i cili ishte bërë nga Sindikata Komunale kishte marrë pëlqimin edhe të kryetarit të Mitrovicës.

Dreka e organizuar në Radac të Pejë ishte cilësuar si ‘Drekë zyrtare Solemne’.

 

Dreka pas mbledhjes së Kuvendit Komunal e anëtarëve të asamblesë më 16 shkurt 2022 i kushtoi buxhetit të Komunës 452 euro.

Në dokumentin e dërguar nga Komuna thuhet se për drekë anëtarët e Kuvendit Komunal ishin ftuar nga kryesuesja, Vesa Broja.

Komuna e Mitrovicës, faturat e shpenzimeve

Për drekë, kryesuesja e Kuvendit Komunal kishte ftuar edhe homologen e saj nga Gjakova dhe drejtoreshën e DKRS në këtë komunë, pas një takimi të mbajtur në Mitrovicë.

Dreka kishte kushtuar 55 euro dhe ishte ngrënë në një restorant në Mitrovicë.

Pa drekë nuk ka mbetur as stafi i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë.

Zyrtarët e kësaj e Drejtorie në drekën e ngrënë më 30 mars kishin shpenzuar 133 euro.

Komuna e Mitrovicës, faturat e shpenzimeve

 

KALLXO.com ka kërkuar qasje edhe në shpenzimet e karburanteve të veturave zyrtare dhe të telefonave në Komunën e Mitrovicës.

Sipas të dhënave të dërguar nga Komuna, që nga 1 janari janë shpenzuar 6 mijë e 209 euro për derivate.

Ndërsa për të gjithë drejtorët e drejtorive, Komuna paguan shpenzime 8 euro në muaj, ndërkaq kryetari dhe nënkryetari nuk marrin shërbime për telefoni.