Pesë arsye që po e bëjnë Gjermaninë kampione në luftën kundër coronavirusit

Gjermania, si duket, ia ka dalë që t’i zbulojë dhe t’i shërojë shumicën e të prekurve me virusin COVID-19 qysh në fazën fillestare të përhapjes së këtij virusi.

Numri i të vdekurve në këtë vend është dukshëm më i vogël sesa në vendet tjera të BE-së të cilat përballen me, pothuajse, numër të njëjtë të të prekurve.

Sipas të dhënave aktuale zyrtare nga OBSH, prej pothuajse 7.272 të infektuarish në Gjermani, kanë vdekur vetëm 17 pacientë, që nënkupton se shkalla e vdekshmërisë nga coronavirusi është shumë më e vogël sesa, ta zëmë, në Francë ku ky numër ka arritur në 148 të vdekur apo në Spanjë me 342 të vdekur.

Po ashtu, është shumë interesant fakti se edhe në SHBA ku ka shumë pak raste me të prekur nga ky virus, numri i të vdekurve është dhjetëfish më i madh në krahasim me Gjermaninë.

Shumë ekspertë shëndetësorë kanë deklaruar se ka shumë arsye pse ka ndodhur një gjë e tillë.

Sipas së përditshmes amerikane LA Times, pesë janë arsyet pse Gjermania me shumë sukses ia ka dalë ta luftojë virusin COVID-19, të njohur ndryshe edhe si coronavirusi.

Paralajmërimi nga Italia

Disa profesionistë mjekësorë si dhe liderë politikë kanë deklaruar ditëve të fundit se numri i të infektuarve me coronavirus dhe me të vdekur do të jetë dukshëm më i madh.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar se është e mundshme se deri në 70% të popullatës do të preket nga virusi i lartcekur. Megjithatë, ekspertët thonë se në këtë rast Gjermania me siguri të ketë dobi  nga përgatitjet e saja si dhe faktorë tjerë.

Përveç tjerash, Gjermania me shumë kujdes e ka monitoruar situatën në Itali ku edhe ka shpërthyer së pari epidemia dhe ka nxjerrë mësime nga aty.

Sipas Christoph Specht, mjek dhe specialist i sëmundjeve, “Ne ishim para së gjithash me fat që Italia ishte vendi i parë në Evropë që u godit nga coronavirusi, kështu që Gjermania mori paralajmërim paraprak dhe pati ca kohë të përgatiste për të lëvizur në mënyrë të pashmangshme në këtë mënyrë,” shkruan revista amerikane La Times.

Sipas tij, qeveria shumë shpejt i ka anuluar disa evenimente të mëdha, ka lëshuar paralajmërime për publikun në lidhje me higjienën dhe ka ndërmarrë masa tjera për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.

“Ishim po ashtu me fat sepse një numër relativisht i vogël i të moshuarve janë të infektuar, për dallim prej Italisë”, ka shtuar tutje ai.

Në këtë mënyrë Gjermania ka ndërmarrë masa për të ndaluar të gjitha ngjarjet në të cilat mund të grumbullohen më shumë se 1000 persona.

Sistemi shëndetësor dhe masat e rrepta të higjienës   

Gjermania, vend lider i BE-së ka disa predispozita për zgjidhje më të mira të problemeve, të tilla si epidemia e COVID-19.

Gjermania ka një rrjet të gjerë të laboratorëve rajonalë dhe e kishte mundësinë që të bënte testime të gjera për coronavirusin kur ky u bë i njohur në javët e fundit. Gjermania ka një nga sistemet më të shtrenjta dhe më të gjera të kujdesit publik shëndetësor në botë me sigurim shëndetësor për të gjithë.

Gjermania gjithashtu konsiderohet të ketë numrin më të madh të spitaleve në botë – 1900 sosh  për një popullsi prej 82 milionë banorësh. Punëtorët gjermanë që tradicionalisht janë të prirur për nivel të lartë të sigurisë në vend, janë të prirur të qëndrojnë po ashtu në shtëpitë e tyre në momentin kur vërejnë simptoma të ndonjë sëmundjeje.

Përveç rrjetit të spitaleve, Gjermania përfiton qartë nga struktura e fortë e Gesundheitsamt apo zyrave të shëndetit publik që ushtrojnë kontrolle të rrepta, zbatojnë rregulla dhe rregullore për higjienën dhe kujdesin shëndetësor. Ka më shumë se 300 zyra të shëndetit publik në të gjithë vendin të cilat ushtrojnë një autoritet me shumë rëndësi.

Kampion në diagnostifikim

“Ne në Gjermani ishim thjesht në pararojë për sa i përket diagnostikimit,” ka deklaruar për Associated Press Christian Drosten, drejtor i Institutit për Virologji në spitalin Charite të Berlinit.

Sipas Drosten, se rrjeti i dendur i laboratorëve të pavarur në Gjermani ka siguruar informacion të nevojshëm teknik për të kryer testime gjatë kur numri e rasteve në Gjermani ishin ende në numra njëshifrorë.

“Këto efekte të kombinuara, unë jam shumë e sigurt për këtë, na dhanë një avantazh ekstrem në njohjen e epidemisë në Gjermani,” ka deklaruar tutje Drosten para gazetarëve në Berlin.

Për dallim nga vendet e tjera, ku laboratorët kombëtarë kishin një patentë të testimit, sistemi i shpërndarë i Gjermanisë i ka ndihmuar mjekët që të përcaktonin me shpejtësi nëse rastet e dyshuara në të vërtetë kishin të bëjnë me virusin e ri apo një ftohje të zakonshme, e cila mund të ketë simptoma të ngjashme.

Drosten thotë se Gjermania ka rritur kapacitetin dhe tani mund të kryejë 12,000 teste në ditë ndërkohë që vendet e tjera humbën një muaj apo edhe më shumë kohë për shkak të kësaj.

Punëtorët e sëmurë rrinë në shtëpitë e tyre  

Punëtorët të cilët, kryesisht nuk kanë ndonjë arsye që të brengosen se do të mund të mbesin pa ndonjë vend të punës për shkak të situatës me këtë virus, zakonisht qëndrojnë në shtëpitë e tyre  në momentin kur vërejnë me ndonjë simptomë nga kjo sëmundje.

Mesatarisht, sipas të dhënave qeveritare, gjermanët mungojnë 17 ditë në punë brenda një periudhe një vjeçare. Po ashtu, sipas  ata e vizitojnë mjekun, mesatarisht, 17 herë në vit.

Në të njëjtën kohë qeveria gjermane gjithashtu është inkuadruar me masa pragmatike për ta bërë më të lehtë për kompanitë që janë goditen shumë nga pandemia, të marrin ndihmë shtetërore si ndihmë për ti paguar punëtorët që janë lënë të lirë për një kohë të pacaktuar më parë sesa të largohen nga puna. Ditë më parë, qeveria gjermane gjithashtu u ka bërë apel organizatorëve që të anulojnë të gjitha ngjarjet publike me më shumë se 1.000 njerëz në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e virusit.

Njerëzit në moshë të shtyrë kujdesen më shumë  

Shumë banorë në moshë të shtyrë e të cilët shpesh janë më të prekurit nga virusi, po qëndrojnë larg zonave ose dyqaneve ku ka, potencialisht,  shumë njerëz.

Martin Floeter, një elektricist 55-vjeçar në Berlin i cili të kujdeset për prindërit e tij të moshuar thotë se të moshuarit dinë gjithçka për gjendjen e jashtëzakonshme qysh nga koha e luftës dhe po qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre. Këta banorë të moshuar e dinë se si të gjinden në situata të këtilla pothuajse me gjithçka.

“Prindërit e mi janë duke qëndruar në shtëpi dhe nuk do të shkojnë askund këto ditë”, ka thënë elektricisti 55 vjeçar për të përditshmen amerikane LA Times.