Pesë ankesa në Supreme për vendimet e PZAP

Gjykata Supreme ka njoftuar se deri më tani ka pranuar 5 ankesa, në lidhje me vendimin e PZAP-së për rinumërim të votave dhe largimin e votave të ardhura nga Serbia në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Sipas njoftimit,  pesë ankesat janë ankesa individuale nga deputetë të partive politike.

“Një ankesë është nga një deputet i LDK-së, një nga një deputet i Kosova Demokratik Turk Partisi (KDTP), një ankesë nga një deputet i Partisë Liberale të Ashkalinjëve dhe dy nga deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, Gjykata Supreme ka njoftuar se të gjitha ankesat do të shqyrtohen dhe vendosen brenda afatit ligjor prej 72 orësh, nga koha e deponimit të tyre.

Dje, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), e miratoi si të bazuar ankesën e koalicionit NISMA-AKR-PD, për votat e ardhura nga Serbia, duke urdhëruar KQZ-në që të largoj nga rezultati përfundimtar këto vota. Gjithashtu PZAP-ja vendosi për rinumërim të 1 mijë e 472 vendvotimeve.

PZAP pranon ankesën e NISMA-AKR-PD kundër votave të Listës Serbe