Përzgjedhja e dyshimtë, anesteziologia ankohet për diskriminim në konkursin e UP-së

Anesteziologia që ia ka mësyrë të ligjërojë në Universitetin e Prishtinës humbi hapin e parë të konkursit nga një kundërkandidat që sipas saj është më pak i kualifikuar.

Agreta Gecaj- Gashi dhe Fatos Sada kishin konkurruar për pozitën Profesor Asistent në konkursin e Fakultetit të Mjekësisë të datës 22 tetor 2019 për një grup lëndësh.

Komisioni vlerësues në këtë rast propozoi për këtë pozitë kandidatin Sada.

Gecaj- Gashi pretendon se është diskriminuar në të gjitha pikat karshi kunërkandidatit. Ajo madje vë në dyshim paanshmërinë e komisionit recensues që ka bërë këtë përzgjedhje.

Në lidhje me këtë lëndë pritet shqyrtim edhe në Këshillin e Fakultetit të Mjekësisë të premten.

Vlerësimi i komisionit recensues për dy kandidatët

Komisioni recensues i përbërë nga Antigona Hasani, Nehat Baftiu dhe Kemal Tolga Saracoglu më 27 nëntor ka marrë vendim që kandidatin Fatos Sada ta rekomandojë për pozitën e Profesorit Asistent në pozitën 51 sipas konkursit të fundit në UP. 

Ata kishin vlerësuar se kandidati Sada i plotëson të gjitha kushtet e parapara me Statutin dhe Rregulloren e UP-së, duke përshkruar se ai posedon titullin Doktor i Shkencave të Mjekësisë, posedon publikime shkencore si autor i parë dhe si ko-autor, është Asistent i rregullt në Fakultetin e Mjekësisë, ka notë mesatare në studimet themelore 8.87 dhe është nën moshën 50 vjeçare.

Në anën tjetër për kandidaten Gecaj- Gashi ata  kanë shkruar se nuk i plotëson kushtet e parapara me Statutin dhe Rregulloren. Kjo për shkak se  sipas komisionit recensues nuk ka qenë asnjëherë e zgjedhur si Asistente e rregullt në Fakultetin e Mjekësisë dhe ka notë mesatare 7.57, gjë që e disfavorizon në krahasim me kandidatin Sada.

Megjithatë, brenda këtij raporti  te përmbledhja e aktiviteteve shkencore në tabelat për kandidatët shkruhet se kandidatja Gecaj- Gashi ka të shënuara katër punime si autor kryesor dhe si autor korrespondent përkundër kandidatit Sada, i cili e ka vetëm një.

Në tabelën e publikimeve në revista ndërkombëtare dhe vendore, vërehet se kandidatja Gecaj- Gashi ka 20 ndërsa kandidati Sada ka 11 të tilla.

Kandidatja Gecaj- Gashi ka 27 publikime në konferenca, simpoziume, punëtori shkencore ndërkombëtarë si autore kryesore ose si autore korrespondente, ndërsa kandidati Sada ka 12 .

E publikime në konferenca, revista, simpoziume, punëtori shkencore të publikuara në Kosovë e në Rajon, kandidati Sada ka 13, ndërsa kandidatja Gecaj- Gashi ka 12.

Gecaj- Gashi ka 5 ligjërata- prezantime gojore shkencore në konferenca, simpoziume, punëtori shkencore dhe në universitete si ligjëruese e ftuar, ndërsa kandidati Sada ka 8.

Gecaj- Gashi ka një publikim si recensente në revistë akademike apo shkencore, kurse kandidati Sada nuk ka asnjë.

E kontribute të tjera shkencore dhe profesionale kandidati Sada ka 3 përderisa kandidatja Gecaj- Gashi asnjë.

Pretendimet e kandidates 

Me rekomandimin e komisionit recensues nuk është pajtuar kandidatja, Agreta Gashi- Gecaj.

Ajo për Gazetën Jeta në Kosovë thotë se vlerësimi është bërë kundër Rregullores, Statutit t UP-së dhe Ligjit për Arsimin e Lartë.

Sipas saj, as angazhimi si asistente e rregullt në Fakultetin e Mjekësisë në UP dhe as nota mesatare nuk kërkohen sipas rregullores së fundit të UP për emërimin, riemërimin dhe avancimin e stafit akademik.

Sipas rregullores së UP, për t’u zgjedhur profesor asistent, kandidati duhet që: të ketë gradën e doktorit të shkencës, të ketë numër të zgjedhur të monografive dhe publikimeve të shqyrtuara në revista ndërkombëtare shkencore, më së paku një punim kryesor të publikuar dhe të shqyrtuar në revista ndërkombëtare si autor i parë apo si korrespodent, të tregojë aftësi për mësimdhënie, të ketë së paku tre vjet përvojë pune në procesin mësimor në njërin prej institucioneve të Arsimit të Lartë së paku gjashtë semestra si dhe kandidati i cili zgjidhet për herë të parë nuk duhet të jetë më i vjetër se 50 vjet.

Në këtë rregullore nuk specifikohet nëse kandidati i zgjedhur duhet të ketë mesatare më të lartë ose më të ulët e as të jetë ose mos jetë i zgjedhur si Asistent i rregullt në fakultetin e Mjekësisë në UP.

Ajo thotë po ashtu se në rregulloren e Universitetin e Prishtinës kërkohet përvoja e punës si e zgjedhur ose e angazhuar së paku gjashtë semestra në njërën prej institucioneve të arsimit të lartë.

“Unë i kam 8 semestra në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Mjekësisë dhe 6 semestra në AAB, i cili me ligjet e Kosovës konsiderohet si institucion i arsimit të lartë”, thotë Gashi- Gecaj.

“Sa i përket punimeve mendoj se këtu bëhet diferenca, përvojën e kemi të barabartë, të dy jemi doktor shkence. Ai e ka vetëm një punim të indeksuar ndërsa unë i kam pesë punime edhe pse në vlerësimin e komisionit e kanë larguar një punim për shkak se e kanë cilësuar pa kritere edhe pse ai është i publikuar në një revistë prestigjioze me impakt faktor 27.5 dhe i cituar nga revista tjera prestigjioze, por ata janë munduar të minimizojnë punën time”, vazhdon ajo.

Më tej ajo shton se në dy platformat Web of Science dhe Scopus ka 13 publikime e në 5 prej tyre si autore e parë.

Gjithashtu, sipas saj, komisioni vlerësues nuk e ka zbatuar normën ligjore të nenit 8 të Statutit, i cili i detyron organet e Universitetit që të sigurojë barazi gjinore dhe në rastet kur kandidatët gra kanë të arritur profesionale si kandidatët burra, t’i jepet përparësi kandidates.

Ajo thotë se përveç se nuk e kanë zbatuar këtë nen të Statutit ata kanë thënë se kandidatja “nuk i plotëson kushtet”.

“Unë nuk jam favorizuese e favoreve në bazë të gjinisë mirëpo ne nuk jemi të barabartë. Unë kam shumë më tepër aktivitet shkencor dhe ajo e bën diferencën”, vazhdon ankuesja.

Gashi- Gecaj thotë po ashtu se komisioni ka vlerësuar si punim të kundërkandidatit një punim të saj të vitit 2005 në një konferencë në Tiranë.

Ajo thotë se sikur të vërtetoheshin këto punime të kundërkandidatit Sada, do të shihej qartë se Gashi- Gecaj është autore e parë dhe Sada është ko-autor dhe sipas saj, ky akt është përvetësim i punës së saj.

Më tej, ankuesja thotë se anëtari i tretë i komisionit recensues ka vlerësuar vetëm kundërkandidatin dhe jo atë. Gashi- Gecaj vë dyshime se anëtari Kemal Tolga Saracoglu nuk ka pranuar fare materialin e saj si kandidate për pozitën e Profesorit Aasistent.

Kandidatja thotë se përzgjedhja e anëtarit të tretë të komisionit është bërë në bazë të preferencave të kryetares së komisionit Antigona Hasani e cila sipas saj ka shoqëri me profesorin.

Gazeta JnK ka kontaktuar me komisionin vlerësues, përkatësisht Antigona Hasanin, Nehat Baftiun dhe Kemal Tolga Saracoglu.

Nga të gjithë anëtarët, vetëm Kryesuesja e komisionit, Antigona Hasani i është përgjigjur email-it.

Ajo nuk është përgjigjur në pyetjet me arsyetimin se është konsultuar me zyrën ligjore të Fakultetit të Mjekësisë dhe të njëjtit i kanë rekomanduar që të mos përgjigjet pasi konsiderohet ndërhyrje në vendimet e komisioneve dhe është konflikt interesi për kandidatët pasi që janë në fazën e shqyrtimit të recensioneve.

Ankuesja vë dyshime edhe punimet e prezantuara të kundërkandidatit te anëtari i tretë i komisionit.

Gashi- Gecaj duke cituar vlerësimit e anëtarit Kemal Tolga Saracoglu për kundërkandidatin Sada ku thuhet se ka qenë pjesëmarrës edhe në dy punime multicentrike Las Vegas dhe ETPOS.

“Duhet të ceki se ETPOS është një punim multicentrik nga Shoqata Evropiane e Anesteziologëve, ku kundërkandidati im nuk është pjesë e punimit, gjë që mund të dëshmohet me një qasje të lehtë në internet, ku shihet qartë që jo veç kundërkandidati, por as Kosova nuk janë fare”, deklaron ajo.

Ndër shumë pretendime Gashi- Gecaj thotë se i është larguar një punim ku ajo është recenzente në një revistë ndërkombëtare.

“Tjetër, askund nuk është cekur se unë kam qenë koordinatore nacionale në tri projekte ndërkombëtare multicentrike të organizuara nga Shoqata Evropiane e Anesteziologëve dhe të triat janë publikuar në revista me impakt shumë të lartë, kjo nuk është cekur askund edhe pse kanë pasur dëshmi të mjaftueshme komisioni”, thotë ajo.

Gashi- Gecaj tashmë ka bërë ankesë kundër vendimit të komisionit recensues për rekomandimin e kandidatit Fatos Sada.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me tre anëtarët e komisionit vlerësues, por kryesuesja e këtij komisioni, Antigona Hasani ka thënë se meqënëse konkursi është në fazën e shqyrtimit, nuk mund të japë sqarime momentalisht.

“Pas përfundimit të komisioneve përkatëse do të ju kontaktojmë”, ka shtuar ajo.

Lidhur me pretendimet e Gashi-Gecajt, është kontaktuar edhe kandidati tjetër, Fatos Sada, i cili ka thënë se do të përgjigjet. Megjithatë, redaksia nuk ka pranuar përgjigje nga ai deri në momentin  e publikimit të këtij artikulli.