Përvoja e viktimës së ngacmimit seksual me organet e drejtësisë në Gjilan

Më 6 shtator 2022, e reja nga Gjilani, Medinë Dauti, ka raportuar për të dytën herë në Policinë e Kosovës ish-profesorin e saj të Gjimnazit “Zenel Hajdini”.

Ky i fundit, nga Gjykata e Gjilanit më 29 gusht të këtij viti u shpall fajtor e u dënua më 1 mijë e 200 euro gjobë për kryerjen e veprës penale – ngacmim ndaj të dëmtuarës, Medinë Dauti.

Mirëpo, ndonëse ai e mori këtë gjobë, vetëm një javë më pas ai prapë e shqetësoi viktimën, kësaj radhe duke i shkruar një familjares së saj.

Ky mesazh kishte bërë që Medinë Dauti të paraqitej prapë në stacionin policor e që ta raportonte rastin, por që në fund viktima të mos pajtohej prapë me mënyrën se si ky rast po trajtohej.

“Unë qysh më kanë njoftu Policia, e di për 48 orë burgim edhe gjithashtu Policia kur më kanë thirrë në telefon më kanë tregu që personin e kanë futë në mbajtje për veprën penale “Shqetësim”. Në Kodin Penal të Kosovës askund nuk ceket, pra nuk ka vepër penale -shqetësim, por shqetësimi hyn te ngacmimi, domethanë në herën e kaluar e kanë shti në burg për ngacmim, tash ia kanë ulë edhe pak për shqetësim, se ndoshta po mendojnë që qashtu ndalet, nuk e di” – shprehet ajo.

Medinë Dauti shprehet e pakënaqur edhe më mënyrën se si shkoi procesi i parë i gjykimit. Ajo madje tha se konsideron që Prokuroria nuk i ka ekzaminuar provat e saj.

“Meqenëse prokurorja e rastit, Slavica Popoviq është serbe edhe nuk e kupton gjuhën shqipe, ndërsa provat e mia kanë qenë të gjitha në gjuhën shqipe edhe disa në gjuhën angleze edhe unë konsideroj që provat asnjë nuk është përkthy në prokurori” – thotë ajo.

Tutje ajo tregon se njëherë kur ka biseduar me prokuroren edhe e ka pyetur pse nuk e ka cilësuar rastin si – ngacmim seksual dhe e ka pyetur se a i ke lexuar provat, prokuroja, sipas Dautit, i ka thënë që nuk i ka lexuar të gjitha provat.

Medinë Dauti gjithashtu tregon se në seancën gjyqësore të mbajtur në qershor, Prokuroria ka paraqitur se kanë arritur marrëveshje të fajësisë me të pandehurin.

“Neve, palën e dëmtuar edhe përfaqësuesen time nuk kanë lajmëru kurrkush që kanë arritur marrëveshje të fajësisë, po gjithashtu edhe në seancën e shqyrtimit fillestar ne nuk kemi pranu ndërmjetësim edhe kemi dashtë me vazhdu gjykimi i drejtë, po megjithatë Prokuroria ka vazhdu me marrëveshje të fajësisë edhe e kanë paraqitur atë në gjykatë” – thotë Medinë Dauti.

Ajo rrëfen se pas kësaj, avokatja e saj ka kërkuar që të rikualifikohet vepra penale dhe personi të dënohet për ngacmim seksual.

“Kërkesën e ka bo në prokurori edhe në gjykatë, mirëpo kjo nuk është marrë parasysh” – thotë Dauti duke treguar se në seancë prokurorja i ka thënë që do e shtyjnë seancën që ta shqyrtojnë rikualifikimin.

“Megjithatë në seancën e fundit nuk është diskutu fare rikualifikimi edhe prokurorja e rastit nuk ka ardhë as në shqyrtim edhe e ka dërgu një prokurore tjetër, Kujtesa Fazilu, e cila kur e ka pyetur avokatja ime i ka thanë ‘Më fal a e keni marrë parasysh rikualifikimin e veprës?’ ajo ka thanë që është “pak a shumë në dijeni” me lëndën” – thotë Dauti.

Medinë Dauti është ndarë e kënaqur me policen që e ka pritur atë herën e parë që e ka bërë raportimin në Polici.

“Ditën e parë kur e kam raportu, fatmirësisht kam kalu tepër mirë. U kanë një police grua që është kanë shumë e mirë edhe më ka mirëkuptu shumë mirë. Po, çka më ka thanë ajo më ka mbetur në kry edhe nuk ka me hjek kështu prej mendjes asnjëherë është fakti që më ka thanë që ‘Ti po e raporton për ngacmim seksual, po në shumicën e rasteve nuk po i cilësojnë ngacmim seksual, po po i cilësojnë veç ngacmim’” – shprehet Medinë Dauti.

Ajo thotë se njëmend i ka dalë ashtu siç i ka thënë policja në fjalë dhe se këtë e cilëson shumë shqetësuese.

Për të gjithë ngjarjen, Medinë Dauti ka treguar se ka pasur gjashtë dëshmitarë që kanë qenë të gatshëm të dëshmojnë në Gjykatë, por që vetëm dy nga ta kanë dëshmuar.

Sipas saj, dëshmitarët e tjerë janë konsideruar që nuk kanë qenë të përfshirë direkt në rast.