Ministri Blerim Reka vetizolohet për shkak të COVID-19

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka njoftuar gjatë ditës së sotme se është vetizoluar pasi që i njëjti ka pasur kontakt me një person të dyshuar për coronavirus.

Njëjtë si Kryeministri Kurti ka vepruar edhe Ministri i Integrimeve Evropianë në detyrë, Blerim Reka, pasi që zyrtari punon në po këtë ministri.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Po përveç Kryeministrit, jemi vetizoluar edhe kabineti i tij pra stafi i ngushtë, Ministri i Integrimeve së bashku me kabinetin e tij”, ka thënë Kryeziu për KALLXO.com.

Tutje ai shtoi se të dyshuarit për COVID-19, pra zyrtarit të Ministrisë së Integrimeve Evropiane i janë marrë mostrat dhe janë në pritje të rezultateve të cilat do të dalin sot nga IKSHP.

Gjithashtu Kryeziu theksoi se ende nuk janë bërë analizat e stafit të Kryeministrit apo këtij të fundit, pasi që fillimisht priten rezultatet e zyrtarit të MIE-së.

“Në qoftë se del pozitiv të gjithë ata që kanë pasur kontakt me zytrtarin në fjalë duhet të testohen. Puna është duke vazhduar ani pse jo në zyre por të gjithë jemi duke kryer punët nga shtëpia pra në vetizolimi”, tha Kryeziu tutje.

Gjithashtu Zëdhënësi i Qeverisë, tregoi se do të bëhet edhe dezinfektimi i hapësirave të punës së kryeministrit si dhe të Ministrisë së Integrimeve.

KALLXO.com raportoi për vetizolimin e Kryeministrit Kurti. Siç mëson KALLXO.com, dyshimet janë se një shofer i Ministrisë së Integrimeve ka pasur kontakt me një të infektuar me coronavirus.

Për shkak se më pas i njëjti ka pasur kontakt edhe me Kryeministrin Kurti por edhe me Ministrin Reka, të njëjtit janë vetizoluar deri në rezultatet të cilat do të dalin nga IKSHP për zyrtarin.