Përveç 433 mijë eurove të sekuestruara dje, në shtëpitë e të dyshuarve u gjetën edhe armë

Aksioni i djeshëm në Ministrinë e Bujqësisë, rezultoi me arrestimin e 12 personave, prej tyre 11 janë ndaluar për 48 orë.

Policia njofton se përveç 433 mijë eurove të sekuestruara gjatë bastisjeve, janë gjetur edhe armë të llojeve të ndryshme.

Po ashtu policia njofton se janë sekuestruar edhe tetë vetura nga të dyshuarit e arrestuar gjatë aksionit ët djeshëm i cili u zhvilluar në disa lokacione, Prishtinë, Istog, Gjilan dhe Lipjan.

“Më 24.02.2021 hetuesit policor nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, gjatë një aksioni “Subvencioni 2021” kanë arrestuar 12 (dymbëdhjetë) persona, nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën e lartcekur”, bën të ditur policia në raportin 24 orësh.

“Në bazë të provave janë bërë bastisje në disa zyre dhe vendbanime të personave ku janë konfiskuar:  433,160.00 (katërqind e tridhjetë e tre mijë e njëqind e gjashtëdhjetë) euro, 600 (gjashtëqind) dollar, 200 (dyqind) franga, 275 (dyqind e shtatëdhjetë e pesë) lira turke, 15 (pesëmbëdhjetë) telefona,  8 (tetë) vetura, 1 (një) kompjuter, 5 (pesë) armë, 1 (një) USB dhe 1 (një) vulë”, njofton Policia.

Me urdhër të prokurorit njëmbëdhjetë zyrtarët e arrestuar janë dërguar në mbajtjes 48 orë ndërsa njëri nga ta është liruar në procedurë të rregullt. Rasti është duke u hetuar.