Përurohet ujësjellësi për 5 fshatra të Skenderajt

Sot ka përfunduar projekti i ndërtimit të ujësjellësit në 5 fshatra të komunës së Skenderajt: Rakinicë, Turiqec, Rezallë e Re, Tushilë dhe Kopiliq i Poshtëm.

Sipas njoftimit të kësaj komune, në ceremoninë e përurimit të këtij projekti, kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka deklaruar se përveç këtyre 5 fshatrave brenda 2 muajve do të përfundojnë punimet edhe në 7 fshatra tjera për të përfunduar kështu projektin në tërësi.

“Instalimi i ujësjellësit në këto 5 fshatra, në prag të festës së Fitër Bajramit Bajramit dhe në këtë kohë pandemie është lajm i jashtëzakonshëm për qytetarët e këtyre fshatrave që me vite  janë ballafaquar me mungesë të ujit të pijshëm”, tha Jashari.

“Furnizimi i këtyre fshatrave me ujë të pijshëm nga rrjeti i ujësjellësit është mundësuar falë përkrahjes së Qeverisë Zvicerane e cila ka financuar ndërtimin e gypit kryesor të ujësjellësit dhe Qeverisë së Kosovës e cila ka financuar kyqjet individuale me 350 mijë euro”, shtoi ai.

Jashari ka thënë po ashtu se këtë vit ka filluar edhe projekti tjetër i ujësjellësit për 10 fshatra tjera në Skenderaj.

“Për të pasur furnizim të rregullt me ujë të pijshëm për  të gjithë qytetarët e komunës së Skenderajt sipas Jasharit jetike mbetet që të ndërtohet rezervari i ri ne Brus e po ashtu të fillojë së implementuari projekti i ndërtimit të pendës së Kuqices e cila do të sigurojë ujë të pijshëm edhe për komunat tjera”, vijon komunikata.

Kryetari Jashari në fund, duke uruar banorët e këtyre fshatrave ka kërkuar nga ta që të kursejnë sa më shumë ujin dhe kështu të përdorin atë në mënyrë sa më racionale për të pasur furnizim më të mirë me ujë nga ky ujësjellës.

Dhjetë fshatrat e Skenderajt me ujësjellës por ende pa ujë