Përurohet salla e gjuhës gjermane në UP

Është përuruar salla e gjuhës gjermane në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Kështu ka njoftuar, nëpërmes një shkrimi në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

“Kjo sallë do të jetë një ndihmesë e madhe për studentët pasi është e kompletuar me teknologji moderne e libra, si donacion nga Instituti Goethe, në departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane të UP “Hasan Prishtina”’, ka shkruar Nagavci, duke i bashkëngjitur postimit të saj edhe disa foto nga ky aktivitet në të cilin ishte pjesëmarrëse edhe e para e arsimit në Kosovë.

Sipas saj, ky departament ka qenë bartës i kulturës dhe urë lidhëse me miqtë ndërkombëtar.

“Edhe atëherë kur komunikimi me profesionistët jashtë kufijve të Kosovës ishte pothuajse i pamundur. Këtu u prezantua edhe programi i ri master “Gjermanishtja si gjuhë e huaj”, që do të fillojë në vitin akademik 2021/22, ku do të kualifikohen mësimdhënësit e ardhshëm të gjuhës gjermane”, ka nënvizuar Nagavci,

“Bashkë me zv.ambasadorin e Gjermanisë, Jan-Axel Voss, zv.ambasadorin e Austrisë, Martin Schaller, zv.ambasadoren e Zvicrës, Pauline Menthonnex, rektorin e UP “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti si dhe përfaqësues të Institutit Goethe në Shkup, theksuam rëndësinë e programit, i cili është i bazuar në nevojat e mësimdhënësve të gjuhës gjermane për çështje hulumtuese dhe shkencore, si dhe në nevojat e tregut të punës”, ka shtuar ajo.